Deputetja e PD, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se, drafti i paraqitur në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal parashikon masa të ashpra ndaj qytetarëve për shkelje të vogla, ndërkohë që nuk veprohet me të njëjtin standard ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion si është dhe zevendëskryeministrja Balluku.
Topalli tha se nuk beson që masat e propozuara për dënimin me burg të parkimit të dyfishtë të jenë kërkesë e Bashkimit Europian, por vendimmarrje e brendshme politike.
“Sot në parlament vjen një draft, i cili ndër të tjera, ka një angazhim shumë të madh për të luftuar korrupsionin. Ne do dënojmë me burg, ata që do guxojnë të parkojnë dysh.
Ne nuk dënojmë ministra, zyrtarë të korruptuar, i mbajmë aty në detyrë. Pas protestës, bëtë kujdesin më të madh për të arrestuar një fëmijë 10-vjeçar,.
Pas protestës, ju futët në burg një invalide. Ky paradoks, midis një korrupsioni që ka përmasa të paimagjinueshme, një vend që marrin peng biznesmenët nëse nuk heqin dorë nga tenderi.Heshtja mund të ekzistojë në vende që ka frikë, por protesta ishte britma kundër frikës.
Vetëm pushtetet që janë të zhytura në korrupsion, arrestojnë fëmijë 10-vjeçar. I dashur ministër, nuk besoj se ka ndonjë udhëzim nga BE, që të dënohet me burg ai që parkon dysh, ai është urdhër i shefit tënd”, tha Topalli.
Gazeta RD