Në dhjetor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi t’i japë miratimin paraprak licensimit të një banke të re, të quajtur JET Bank. Do të jetë e para bankë digjitale nëse Banka e Shqipërisë do ta licensojë përfundimisht pavarësisht dyshimeve që janë ngritur në media për praktikën, sigurinë apo pronarët e saj.
BSH sqaroi në një reagim për Zoom.al se “Banka e propozuar “Jet Bank”, do të zotërohet 100% nga shoqëria “Jet Holdings B.V.”, e regjistruar në Hollandë, e cila zotërohet nga një grup investitorësh ndërkombëtarë me mjaft përvojë në teknologji dhe fintech, ku kryesor është z. Idan Avishai, një investitor izraelito-britanik me një eksperiencë shumëvjeçare në financë.”
Avishai, siç ka mësuar Zoom.al nuk është izraeliti i vetëm pas kësaj banke. Dhe lidhjet e tyre shkojnë në zyrën e kryeministrit Rama.
Vitin e kaluar nga thesari i shtetit u derdhën miliona euro ndaj një kompanie me pronar një izraelit. Ai është Ron Yeffet, i kompanisë Timak Defence. Kjo kompani është ortake me kompaninë shtetërore shqiptare të prodhimit të armëve, Kayo.
Qeveria shqiptare ka lidhur disa marrëveshje me kompaninë e Yeffet për blerjen e automjeteve taktike të ushtrisë. Këtë janar shqiptarët e panë Edi Ramën në takim me Beniamin Netanyahun, kryeministrin Izraelit, të cilit nuk i shkel thuajse akush nga liderët botërorë në zyrë për shkak të masakrave ndaj civilëve në Gaza.
Rama u prit me ceremoni dhe u ftua të mbante fjalim në parlametin izraeli, Knesset, ku po ashtu asnjë lider botëror nuk shkon prej kohësh për shkak të zhvendosjes së tij në Jeruzalem.
Gazeta RD