Avokatja Adriana Kalaja, në një deklaratë për mediat nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, bëri me dije se çështja e gjyqtares Irena Gjoka (Shpata, Maneku), është futur në mënyrë të beftë dhe antiligjore në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), veprim që është bërë me urdhër politik të Edi Ramës.
Kalaja shprehu mosbesim të thellë tek KLGJ, duke deklaruar se nuk ka pritshmëri për një vendim të drejtë, pasi anëtarët e këtij institucioni marrin urdhër nga Edi Rama dhe kanë frikë prej tij.
Gjithashtu, Kalaja hodhi poshtë pretendimet e gjyqtares se nuk ishte në dijeni apo se çështja ishte amnistuar nga autoritetet greke. Ajo tha se, ligji grek në fjalë nuk është një amnisti apo falje, por një mekanizëm për të ulur ngarkesën e gjykatave duke arkivuar çështjet me dënime të lehta, çka nuk e shmang detyrimin për deklarim.
Drklarata e Kalasë për mediat
Kam kërkuar që të më vihen në dispozicion edhe rezultatet e hetimit të thelluar të Prokurorisë së Përgjithshme. Si person i cili jam iniciator i këtij hetimi të thelluar, kam paraqitur edhe relacionin në lidhje me gjithë shkeljet që bashkëngjitur provat vërtetojnë katërcipërisht jo vetëm akuzat dhe denoncimet tona vijuese, por edhe rastin më flagrant të mos përputhshmërisë të kërkesave të ligjit dhe me faktin e qenies së kësaj gjyqtareje me tre mbiemra në sistemin e drejtësisë.
Sot në fakt, kur erdhëm këtu, ju jeni dëshmitar se si u informova vetëm pak minuta përpara kësaj deklarate, se si në mënyrë të beftë, antiligjore dhe korruptive doja të thoja, patjetër me urdhër politik të Edi Ramës, është futur në orët e para të mëngjesit, në rendin e ditës, edhe çështja e Irenës me disa mbiemra, fakt për të cilin ne do presim se si do të reagojë KLGJ-ja, por nuk është se ne kemi ndonjë pritshmëri të madhe, sepse nëse sot KLGJ-ja do të marri një vendim ligjor dhe kushtetues, siç e kërkojnë dispozitat ligjore, do ta marri kundrejt Edi Ramës.
Kështu që ne nuk është se kemi ndonjë pritshmëri nga këta persona të cilat marrin urdhër nga Edi Rama, kanë frikë nga Edi Rama. Jo më pak kemi parë dhe çfarë ka ndodhur në Gjykatën Kushtetuese dhe në Kuvend. Kështu që ne problemin që kemi ngritur gjatë gjithë kësaj periudhe, e kemi ngritur me figurën e kësaj gjyqtareje. Tashmë që këto institucione të drejtësisë së re, të dalë gjoja nga reforma, e kanë kthyer në normë të sistemit. Pra duhet të ishin Irenat me tre mbiemra pjesë e sistemit.
E dimë të gjithë shumë mirë se si ka kaluar vetingun, duke u urdhëruar komisionerja që të heqi dorë nga ankimimi dhe nga ana tjetër ne e dimë shumë mirë se si është përdorur në atë vend qoftë si kryetare, qoftë si gjyqtare, në një nga gjykatat më të rëndësishme në vend, për të sulmuar dhe për të qenë armë në duart e pushtetit kundra opozitës dhe krerëve të saj. Nga ana tjetër, në relacionin që unë kam sjellë përpara KLGJ-së, që me sa shoh nuk do të merret në shqyrtim për sa kohë që ato kanë nxituar për ta bërë mbledhjen ose për ta futur në rendin e ditës dhe për ta, për ta shqyrtuar sot, ndërkohë që personat e interesuar nuk janë thirrur apo njoftuar që të sjellin parashtrimet e tyre.
Unë, shkurtimisht, publikut dua t’i sqaroj, bazuar në vetë deklarimet e Irenës me disa mbiemra. Së pari, në referim të ligjit 95/2016, për gjykatë, për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Posaçme, si dhe të ligjit 96, po të 2016-ës, për statusin e magjistratëve, është e qartë që nuk mund të jetë gjyqtar një person i dënuar. Ndërkohë, unë në relacionin tim, me provat bashkëngjitur, kam arsyetuar dhe kam vërtetuar që Erena Gjoka, Shpata, Maneku, ndryshe nga sa pretendon, ka dijeni të plotë për vendimet e marra në shtetin grek, për sa kohë që kjo është një nga iniciueset e këtyre proceseve gjyqësore me cilësinë e ankimueses. Kam vërtetuar katërcipërisht ndryshe se nga sa gënjen Irena me disa mbiemra, se nuk është pasaporta e saj. Në të gjithë dokumentacionin vërtetohet se është pasaporta e saj, vërtetim të cilin në fakt e ka bërë dhe shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme në shtator të 2025-ës.
Ndërkohë vjen në kontradiktë dhe thënia e saj se ishte në padijeni, ndërkohë në rreshtat më poshtë, sipas publikimit në media, del se pretendohet që çështja është e amnistuar. Nëse çështja do të ishte amnistuar, patjetër që detyrimi i gjyqtares me disa mbiemra ishte që ta deklaronte, por në katër raste ka falsifikuar formularin e deklarimit, madje këtë krim e ka kryer dhe në vijimësi, për sa kohë që ka refuzuar të pranojë që është e dënuar në shtetin grek dhe ka marrë dy herë dëbime, qoftë në 24 dhjetor 2002, qoftë në 13 shkurt 2003 dhe për këtë, jo vetëm që ka vënë avokat për t’u marrë me dy dëbimet, nga ana tjetër, në procesin administrativ është vetë Irena Gjoka që cakton avokat për fshirjen e dy dëbimeve.
Një problem shumë i rëndësishëm qëndron edhe me faktin që ka marrë në konsideratë vendimin precedent të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në lidhje me çështjen Panu kundër Greqisë, ndërkohë që nëse KLGJ-ja ka integritetin moral dhe profesional ta shqyrtojë këtë vendimmarrje të Gjykatës së Strasburgut, tregon qartazi se janë tamam kushtet ku vetë KLGJ-ja duhet të shkarkojë Irena Gjoka Shpata Manekun, sepse edhe Gjykata e Strasburgut e ka gjetur me vend shkarkimin që i është bërë nga organet policore të një ish-oficere të policisë greke.
Ndërkohë, edhe lidhur me çështjen që ngrihet për amnistimin nga autoritetet greke. Së pari, unë dua të theksoj përpara publikut se nuk jemi përpara një ligji amnistie apo faljeje, madje është një ligj i cili vetëm ndërhyn në sistemin gjyqësor grek për të ulur numrin e çështjeve dhe çështje të cilat kanë dënime të lehta, kalojnë në arkiv. Por kjo, e para nuk duhet të ndalonte Irenën me disa mbiemra që ta deklaronte, dhe refuzimi për deklarim është falsifikim dhe është i papajtueshëm me detyrën. Ndërkohë, në territorin e Shqipërisë nuk veprojnë ligjet greke, po veprojnë ligjet shqiptare, dhe referuar ligjeve shqiptare, siç e citova më sipër, përveçse nuk mund të jesh gjyqtar ndërkohë që ti ke një dënim penal dhe ne këtu kemi raste të cilat kanë qenë shumë më të lehta se rasti i Irena Gjokës.
Gazeta RD