Paloka: Pro bashkimit të opozitës, por jo me ata që bëjnë lojën e Ramës!

Deputeti i PD, Edi Paloka, gjatë intervistës në emisionin “Kjo Javë”, deklaroi se është pro bashkimit të PD dhe gjithë frontit opozitar. Por ai veçoi mes tyre, ata që sipas tij bëjnë lojën e Ramës.

Paloka shprehu rezerva ndaj kryetarit të partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, që sipas tij pasi PD i shtriu dorën e bashkimit duke dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet lokale për bashkinë e Tiranës, tani ka dalë me variante të reja.

Këtë ai e quajti rritje e mendjes nga Shehaj që sipas Palokës, bashkë me disa parti opozitare po ushqejnë ambicien për pushtet, duke shpresuar për një largim të shpejtë të Ramës.

“PD mendoj se ka bërë më shumë se ca i takon partisë më të madhe opozitare të bëjë. Në fakt kjo është fatkeqësia, ndërkohë që ti i kërkon bashkim i shtrin dorën partive të opozitës, këtu ose dikujt i rritet mendja, sepse është ngritur fryma se Rama nuk e ka të gjatë. Ndjehet një lloj fryme se Rama do iki dhe  do marrë një post të rëndësishëm jashtë, dhe kjo mbase i nxit këto partitë e vogla që fillojnë të mendojnë për pushtetin.

Unë jam njeriu që në cdo rast jam përpjekur që dhe të bashkojë PD dhe të bashkojë opozitën. Atë opozitë që vërtet kërkon të rrëzojë Ramën sepse ata që janë pjesë e lojës së Ramës, për ta dëmtuar opozitën, unë nuk e di pse i bëjmë thirrje akoma atyre.

Dje qenkan shprehur në media për bashkimin e opozitës, dikush që dje i kërkoi PD të dalë me një kandidat të vetëm dhe ne ja dhamë opozitës këtë mundësi, dolëm me një kandidat jashtë PD. Personi që ja kërkoi PD doli dje me ide të reja. Shehaj ka dalë me variante të reja”, tha Paloka.

Paloka, i pyetur për zhvillimet e brendshme në PD, debatet dhe pakënaqësitë në radhët e demokratëve, u shpreh se ai ka vendosur të qëndrojë dhe jo të largohet, pavarësisht se propozimet e tij në shumicën e rasteve nuk janë pranuar.

Paloka shkoi më tej, duke thënë se i jep mendimet por nuk imponohet që të kalojnë për diskutim në strukturat më të larta të partisë.

“Nuk jam i pakënaqur me PD. Nuk jam pasiv por nuk jam në grupin organizator direkt për protestat”, tha Paloka duke shtuar se dikur ka drejtuar vetë protestat dhe për këtë ka bërë dhe burg.

Duke atakuar indirekt, ish-deputetin e PD Ervin Salianji, Paloka tha se ndryshe nga të tjerë, ai “nuk e tund si Flamur” burgun sa herë t’i jepet rasti si ndonjë tjetër.

About Redaksia

Check Also

Pakti i dështuar për universitetin

Nga Alvi Musaraj Në Shqipëri, “Pakti për Universitetin” është një dokument i bashkërenduar, i lindur …