Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Irena Gjoka ka kapur shtetin për fyti sepse është e lidhur ngushtë me figura të rëndësishme të qeverisë, si Ergys Agasi dhe Linda Rama, dhe ka fshehur dënimin e saj të mëparshëm në Greqi për falsifikim dokumentesh.
Berisha theksoi se ky është një shembull i keqpërdorimit të pushtetit, dhe kritikoi ashpër Këshillin e Lartë të Gjyqësorit (KLGJ) për vendimin e tij për të mos ndërprerë mandatin e Gjokës.
Klinsman Mëhilli: Doktor, SPAK-un, a duhet ta mbështesni me deklarata zyrtare? Dhe në zgjedhjet e prillit në PD, a do ketë ndryshime që nga kupola?
Sali Berisha: Do të ishte gabim shumë i rëndë po të mos mbështesje çdo prokuror, çdo gjykatës, çdo hetues që zbaton ligjin.
Dhe në kontekst ju duhet ta dini mirë se interesi më absolut për funksionimin e shtetit ligjor është i opozitës dhe i qytetarëve.
Por, do të ishte fatale në qoftë se opozita hesht para prokurorëve të lidhur me krimin, para prokurorëve që kundrejt ryshfeteve të majme mbrojnë kriminelët, mbrojnë vrasësit, mbajnë në shesh fletët e arrestit, u dërgojnë mesazhi se jeni arrestuar.
Më thoni ju mua, a mund të pranohet një gjë e tillë?
Në qoftë se, ne e pranojmë një gjë të tillë, ne përfundojmë me drejtësinë e Irena Gjokës.
Ja ku e keni, ja ku është gjykatësja e dënuar me burg në Greqi dhe fshehur dënimin.
E përzënë dy herë nga Greqia për falsifikim dokumentesh dhe fshehur përzëniet.
Dhe sot ka kapur për fyti një shtet të tërë në mënyrën më të paimagjinueshme, në një kohë kur në ligjet dhe Kushtetutën e Shqipërisë, të trija këto rrethana janë rrethana ligjore që i ndërpresin mandatin si gjykatëse dhe e çojnë në burg.
E çojnë në burg se i ka fshehur, ia ndërpresin mandatin, sepse kanë ndodhur.
Kurse dje, KLGJ-ja votoi për të mos i ndërprerë mandatin asaj. A mund ta imagjinoni se ku jemi? Po pse? Sepse ajo është mikeshë e Ergys Agasit, por jo më pak se Linda Ramës dhe Edi Ramës.
Që ta dini domethënë.
E keqpërdorur në shkallë ekstreme kundër kundërshtarëve politikë, por në rrafshin ligjor një delinkuente me krime antikushtetuese dhe krime ligjore të rënda.
Atëherë, a mund t’i marrim ne të gjithë njëlloj?
Sikundër duhet t’i mbështesim ata që punojnë, duhet të kemi guximin të dënojmë dhe denoncojmë ata që janë të lidhur me krimin.
Ju më keni dëgjuar shpesh të atakoj Altin Dumanin.
Dhe pse e kam atakuar unë?
Sepse çdo njeri që pranon se me rrogë shteti mund të kesh tre apartamente, ose bën dudumin, ose bëhet avokat i tij.
Nuk mund të kesh tre apartamente me rrogë shteti, nuk blihen dot, bëji si të duash ti llogaritë.
35 vjet me rrogë shteti unë kam blerë 40 metra më shumë se apartamenti që kam pasur.
Por një apartament vetëm me rrogë nuk e blija dot, pa marrë kredi.
Tani më thoni ju mua, a duhet t’i themi ne këto apo nuk duhet t’i themi?
Unë do i faktoj shqiptarëve çdo gjë që kam thënë, por mbi të gjitha për opozitën nuk ka njerëz me të bekuar, më të vlerësuar se gjykatësit, prokurorët, policët, hetuesit që zbatojnë ligjin.
Pa më thuaj pak, çfarë do i thuash ti ish-xhelatit të Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja dhe Altin Troplinit, të cilët në dosjen e krimit elektoral, dosje e ndërtuar mbi bazën e vendimit të gjykatave, e publikuar në mediat më të mëdha ndërkombëtare, amnistuan krimin elektoral? Më thuaj pak ti mua, a nuk është kjo një licencë për qeverinë dhe Edi Ramën që të përdorë cdo mjet kundër zgjedhjeve.
Prandaj dhe i dashur mik, ne duhet të jemi objektivë dhe të vërtetë, kjo është e rëndësishme.
E mbështesim çdo veprim që godet krimin dhe çdo prokuror dhe çdo gjykatës, por dënojmë me forcën më të madhe si delinkuent dhe kriminelë ata që shkelin ligjet dhe bashkëpunojnë me krimin.
Gazeta RD