Ora e së vërtetës!

Nga Iva V.GRILLO

Vjen një moment ku hapja e kartave bëhet e pashmangshme.
Besoj se në arenën politike shqiptare ka ardhur momenti final ku forcat politike që e quajnë veten opozitare të mos fshihen më pas gishtit, por të thotë qartë se cili është pozicionimi i tyre ndaj pushtetit që ka kapur shtetin.
Ambiciet politike të kujdo janë mëse legjitime, por bllokimi i krijimit të një fronti opozitar me justifikime të pabazuara dhe kalkulime meskine është një shërbim që i bëhet vetëm klikës në pushtet.
Pretendimi që partitë e reja nuk duan të formojnë një front të përbashkët sepse nuk u pëlqen kreu i forcës më të madhe opozitare është një alibi qesharake, në rastin më të mirë.
Secila parti që ka marrë nismën dhe bërë negociata për të garuar me një kandidat të përbashkët për zgjedhjet e Tiranës në Nëntor 2025, nuk ka më asnjë alibi për të mos bashkëpunuar për një front të përbashkët.
Përse paskërka qënë ok të bashkëpunohej për të fituar Tiranën dhe qënkërka sakrilegj për të bashkëpunuar për të rrëzuar Ramën ??
Thirrjet për front të përbashkët nuk nënkuptojnë bashkim e shkrirje subjektesh, siç po mundohen disa krerë partish të justifikojnë mosbashkëpunimin e tyre… Front i përbashkët do të thotë objektiv për çlirimin e shtetit nga kapja totale nga krimi qeveritar dhe vendosjen e tij në disa binarë normaliteti: më pas, secili me ngjyrat e veta dhe elektorati të vendosë kujt i beson.
Dikujt mund t’i duket se rritja e një force të re politike nga 2 në 5 apo 7 deputetë në kurriz të fragmentarizimit të elektoratit opozitar është një arritje e madhe politike…por Shqipëria nuk shpëton dot nga vdekja klinike thjeshtë sepse një parti X i shtoi disa deputetë vetes, në kurriz të aspiratave të popullit opozitar.
Vendi shpëton nëse kthehet në binarë institucionalë e demokratike dhe për këtë kërkohet një barrikadë e fuqishme opozitare e qytetare.
Ndaj, kushdo që ka marrë përsipër t’i dalë zot vendit duke bërë politikë, bën mirë të tregojë në ç’anë do të pozicionohet: në krah të regjimit apo përballë tij?!
Boll me fjalë të tepërta!
Është ora e së vërtetēs!

About Redaksia

Check Also

Kush është mjekja e promovuar nga Rama dhe hija e skandalit estetik, denoncimi i gazetares

Kryeministri Edi Rama, kishte të ftuar një ditë më parë në podcastin e tij “Flasim”, …