Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur para anëtarëve të degëve 1 dhe 3 të PD-së në Tiranë, u shpreh se, nëse do të kishte zgjedhje të lira në 2025, PD do të ishte në pushtet.
Berisha tha se, mund të më kundërshtojë ndonjëri, por çfarë e shtyu atë të japë 2 miliardë euro dy ditë para votimit, të falë të gjitha gjobat e kamatat që ishin mbi 2 miliardë dhe që u intereson 200 mijë familjeve?
Berisha: Pra, këto janë të vërtetat.
Por ne nuk jemi parti e dhunës.
Ne jemi të përcaktuar, parti që nuk marrim kurrë pushtet ndryshe përveçse me votë.
Historia jonë, po ta studioni, po ta shihni, ka faktuar që ne kemi pasur të drejtë.
Alternativa jonë është e drejtë.
Ne kemi fituar në kushtet më të vështira, dhe unë u garantoj se ne do fitojmë kësaj here.
Jo vetëm do fitojmë, por do bëjmë përgjegjës të gjithë këtë narko-nomenklaturë që shkelmon dhe poshtëron shqiptarët dhe i varfëron çdo ditë.
Ne do të fitojmë dhe në mënyrë absolute Lubi Balluku, Edi Rama dhe të gjithë pushtetarët që janë pasuruar duke u vjedhur ju, do shkojnë aty ku e kanë vendin dhe pasuritë e tyre do u kthehen ju.
Dhe ato janë miliarda e miliarda.
Ju garantoj se ne do të vendosim sistemin më transparent për paratë tuaja dhe për pronat tuaja. Për pronat publike. Pronat publike janë pronat tuaja.
Por, asgjë nuk mund të realizohet pa përmbysjen e tij.
Ne duhet ta përmbysim këtë regjim.
Ne duhet ta përmbysim dhe do ta përmbysim atë.
Kjo kërkon nga ne që në këtë errësirë censure që përjetojnë njerëzit, të jemi me debatet tona, me shpjegimet tona, pishtarë të të vërtetës, të mbrojmë të vërtetat tek qytetarët shqiptarë.
Propaganda e tij përhap nga mëngjesi gjer në darkë trilime dhe mashtrime të pafundme.
Ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër përballje përveç atyre rrjeteve sociale tona, që duhet t’i përdorim në mënyrë maksimale, por mbi të gjitha takimet me njëri-tjetrin.
Me qëllim, takime me qëllim, debate me qëllim, në mënyrë që të ndriçojmë mendjet e njerëzve.
Cili është mashtrimi më i madh?
Mashtrimi më i madh është kur flitet për zgjedhjet, kur zgjedhje nuk ka, ka farsë. Ka farsë.
Ju garantoj se po të kishte zgjedhje, në vitin 2021, PD do ishte në pushtet.
Ju garantoj se po të kishte zgjedhje, në vitin 2025, PD do të ishte në pushtet.
Mund të më kundërshtojë ndonjëri, por çfarë e shtyu atë të japë 2 miliardë euro dy ditë para votimit, të falë të gjitha gjobat e kamatat që ishin mbi 2 miliardë dhe që u intereson 200 mijë familjeve? Demokratë e demokratë, kurrë mos u gaboni.
Mos pranoni të mashtroheni.
Ka pasur jo një, por disa nga miqtë tanë, demokratë, që thonë mos e thuaj se na dekurajon se Edi Rama nuk bën zgjedhje.
Jo, kjo është e vërteta më e madhe, kjo është alfa nga duhet të fillojmë
Se ai bën farsë. Dhe në farsë, ai nuk ka legjitimitet.
Ne duhet të kthejmë zgjedhjet.
Dhe zgjedhje me Edi Ramën nuk ka në qoftë se nuk e largojmë.
Gazeta RD