Çështja Balluku/ Rama nuk i ndal sulmet ndaj drejtësisë, reagon Shoqata e Prokurorëve

Kryeministri Edi Rama nuk i ndalur sulmet ndaj sistemit gjyqësor edhe mëngjesin e sotëm, duke u përpjekur të intimidojë të gjithë sistemin e drejtësisë, pas kërkesës për rritje pagash, e cila ndodhet në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit pritet të shprehet me vendim.

Pas këtij sulmi frontal të kryeministrit Rama ndaj ‘drejtësisë së re’ të propaganduar nga ai vetë si themeluesi dhe përkrahësi i saj, ka reaguar edhe Shoqata e Prokurorëve, duke theksuar se presioni nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

Në deklaratë shkruhet se, në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes.

Deklarata e Shoqatës së Prokurorëve

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.

Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend.

About Redaksia

Check Also

Gysi i kthehet ne ferr/ Urdhëroi arrestimin e qytetarit se i kujtoi verën 33 mijë euro

Një situatë e tensionuar është shënuar gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama me banorët e …