Gjykata e Posaçme liron nga qelia Xhelal Rrajën. Trupa gjykuese e përbërë nga Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca pranuan kërkesën e Rrajës për zëvëndësim të masës së sigurisë nga “arrest në burg” ne “arrest në shtëpi”.
Mësohet se vëllai i ish-deputetit të PS-së Rrahman Rraja do të qëndrojë nën mbikëqyrje policore dhe atij i ndalohet komunikimi me persona të tjerë përveç atyre me të cilët ndan banesën.
Rraja akuzohet për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.
Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, sipas SPAK, ishte pjesë e grupit të Durim Bamit e Endrit Dokles, që tentuan vrasjen e ish ligjvënësit tjetër socialist Arben Ndoka.
Prokuroria thotë se Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashkëpunim me Xhelal Rrajën dhe Marklen Hakën, thurën planin për të vrarë Ndokën.
Xhelal Rraja u përfshi dhe në rrahjen masive që ndodhi në Thumanë ndaj dy kushërinjve, Jashar dhe Bilbil Maja, ngjarje pas së cilës vëllai i tij deputet dha dorëheqjen.
Në atë kohë, Xhelal Rraja u shpall në kërkim nga policia.
Gazeta RD