Kryetari i PD, Sali Berisha, në konferencën për gazetarët tha se shqiptarët kanë paguar mbi 300 milionë euro për pallatin në pajë të Linda Ramës. Ai e cilësoi “Mafien e Surrelit” si më të rrezikshmen në Europë dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion në tendera dhe punë publike.
Berisha tha se për ndërtimin e pallatit nuk ekziston asnjë faturë zyrtare doganore, tatimore apo ndërtimore.
Berisha: Mafia e Surrelit është mafia më e rrezikshme e Europës.
Është mafia që u kushton shqiptarëve në çdo punë publike, në çdo tender, qindra dhe miliarda euro.
Sot unë kam zgjedhur të ndalem para qytetarëve shqiptarë se sa paguajnë ata për pallatin në pajë të Linda Ramës.
Pallat për të cilin, Linda Rama dhe bashkëshorti i saj, kryehajduti i kombit, Edi Rama, nuk janë në gjendje të paraqesin qoftë edhe një faturë të vetme doganore, tatimore, ndërtimore, mjedisore apo të çdo lloji.
Pra, pallati në pajë i ndërtuar në sheshin e pallateve, në tokën e tyre, kjo duhet theksuar. Ajo ka qenë tokë e familjes Basha, Basha është mbiemri i vajzërisë së zonjës Rama.
Pra, i ndërtuar në sheshin e pallateve në kundërshtim me çdo kondicion urbanistik. Por ky është kapitull i veçantë.
Kapitulli tjetër është se zonja nuk paraqet dot qoftë edhe një faturë të vetme për pallatin 5 kate mbi tokë, sa ka nën tokë, shkoni dhe kontrollojeni vetë.
Kur ky superskandal u denoncua me dokumente nga PD në atë kohë, dhe kur ILDKP filloi procedurën e hetimit për origjinën e pallatit, origjinën e pallatit pa asnjë faturë, Edi Rama shkarkon në mënyrë të rrufeshme zonjën Zana Xhuka, një nga zyrtaret më serioze të administratës shtetërore, e shkarkon në mënyrë antikushtetuese, antiligjore vetëm për të mbrojtur veten dhe familjen e tij nga pallati që mbi apo që ra si me parashutë i Linda Ramës, për të cilin ajo tha se është ndërtuar me para gjaku.
Nuk besoj se vëllai i saj në emigracion të jetë marrë as me drogë, as me vrasje. Jo. Po se si e lëshoi ajo atë fjalë, e di vetë dhe kjo është çështje e tyre familjare.
Por tani dëgjoni pak se sa e paguajnë shqiptarët pallatin.
Shqiptarët pallatin e paguajnë, siç thotë vetë shprehja e tyre popullore, më shumë se frëngu pulën.
Shqiptarët, kompaninë që ndërtoi pallatin, kompaninë 2T të famozit Sako, vëllait të ish-komandantit të gardës, aktualisht kryetar bashkie në Tepelenë, e paguajnë jo 100 apo 200, por e paguajnë së paku 300 milionë euro pasi rruga Qukës- Qafë Plloçë, e filluar në vitin 2009, 43 kilometra, e parashikuar me një shumë prej 73 milionë dollarë të Bankës Islamike, kjo rrugë pas vitit 2013 iu besua ndërtuesit të pallatit në pajë.
Ndërtuesi Sako, në rrugën Qukës- Qafë Plloçë, arriti të fryjë çmimet, fjala është në 310 milionë, e vërteta rreth 400 milionë euro në mënyrën më të pabesueshme.
Gazeta RD