Fjoralba DIZDARI
Zhvillimet e fundit të bëra publike lidhur me mbetjet e rrezikshme në Porto Romano janë një tjetër dëshmi e asaj që prej vitesh është paralajmëruar, por është injoruar, Shqipëria po trajtohet si një territor i pambrojtur, ku mjedisi, shëndeti i qytetarëve dhe siguria publike sakrifikohen përmes papërgjegjshmërisë shtetërore dhe mungesës së llogaridhënies institucionale. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Durrësit, bëhet fjalë për rreth 2800 ton mbetje industriale të rrezikshme, të cilat kanë qëndruar për më shumë se një vit në Porto Romano, pranë zonave të banuara, pa asnjë zgjidhje përfundimtare dhe pa transparencë ndaj qytetarëve.
Për më shumë se një vit, një komunitet i tërë ka jetuar pranë një rreziku të heshtur, pa informacion, pa siguri dhe pa asnjë garanci se jeta dhe shëndeti i tij janë prioritet për shtetin. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese në një kohë kur Shqipëria ka hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Menaxhimi i mbetjeve të rrezikshme, mbrojtja e shëndetit publik dhe transparenca institucionale janë pjesë thelbësore e kritereve bazë të kapitujve të anëtarësimit. Ajo që po ndodh në Porto Romano tregon qartë se, pavarësisht retorikës zyrtare, standardet europiane mbeten ende larg realitetit të përditshëm të qytetarëve shqiptarë.
Rreth tre javë më parë, qyteti i Durrësit u përfshi nga përmbytje të konsiderueshme, të cilat prekën edhe zonën e Porto Romanos. Deri më sot nuk ka asnjë informacion zyrtar nëse kontenierët ku ndodhen mbetjet kimike janë përmbytur gjatë vërshimit të ujërave dhe nëse ka pasur përhapje të ndotjes në tokë apo në det. Kjo mungesë totale transparence ka lënë qytetarët të frikësuar dhe të shqetësuar për jetën e tyre dhe të familjarëve, pa asnjë siguri se sa të mbrojtur janë nga një rrezik që mund të ketë pasoja afatgjata dhe të pakthyeshme.
Në çdo vend normal, përballë një rreziku të tillë, institucionet do të komunikonin hapur, do të informonin publikun dhe do të merrnin masa parandaluese. Në Shqipëri, për fat të keq, heshtja duket se është bërë normë. Dhe heshtja, kur bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme, nuk është thjesht papërgjegjshmëri, është rrezik i drejtpërdrejtë për jetën e njerëzve. Problemi i mbetjeve të rrezikshme nuk është i izoluar vetëm në Porto Romano. Sipas studimeve të pavarura, Shqipëria prodhon çdo vit dhjetëra mijëra ton mbetje të rrezikshme, ndërkohë që nuk disponon infrastrukturën e nevojshme për trajtimin dhe përpunimin e tyre.
Ky është një problem strukturor, që ka të bëjë me mënyrën se si shteti planifikon, kontrollon dhe mbron interesin publik. Madje, vetë qeveria shqiptare e pranon zyrtarisht këtë dështim në dokumentin “Politikat Strategjike dhe Plani Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020–2035”, ku theksohet se në Shqipëri nuk ekziston infrastruktura bazë për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme, nuk ka të dhëna të plota mbi sasinë dhe rrymat e tyre, dhe nuk janë përcaktuar ende vendndodhjet për qendrat e trajtimit. Kur vetë shteti pranon se nuk ka kapacitet për të menaxhuar një rrezik, pyetja që lind natyrshëm është, pse qytetarët vazhdojnë të ekspozohen ndaj tij? Kjo nuk është thjesht një çështje teknike apo administrative.
Nuk është as një debat abstrakt mes ekspertësh. Është një çështje që prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të njerëzve, fëmijëve që rriten pranë këtyre zonave, familjeve që jetojnë në pasiguri, komuniteteve që ndihen të braktisura nga shteti. Kur një qytetar nuk e di nëse ajri që thith, toka ku jeton apo uji pranë shtëpisë së tij janë të ndotura, atëherë kemi të bëjmë me një dështim të rëndë të funksionit bazë të shtetit. Porto Romano është kthyer në simbol të këtij dështimi. Jo vetëm si vend ku ndodhen mbetje të rrezikshme, por si pasqyrë e një modeli qeverisjeje që reagon vetëm kur skandali bëhet publik dhe jo kur rreziku shfaqet.
Një model që nuk parandalon, por administron krizat pasi ato shpërthejnë. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të sillet si një vend pa rregulla, as si një territor ku rreziqet mjedisore tolerohen për shkak të paaftësisë ose mungesës së vullnetit politik. Nëse integrimi europian është një qëllim serioz dhe jo thjesht një slogan, atëherë mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve duhet të jetë prioritet absolut. Jeta, shëndeti dhe e ardhmja e komuniteteve shqiptare janë të shenjta dhe nuk mund të vihen më në rrezik nga dështimi i institucioneve dhe mungesa e përgjegjësisë.
Porto Romano nuk duhet të harrohet sapo të largohet nga titujt e lajmeve. Ai duhet të mbetet një alarm i vazhdueshëm për atë që ndodh kur mungon përgjegjësia dhe shteti harron detyrën e tij themelore, mbrojtjen e jetës. Në fund, kjo nuk është vetëm një çështje mjedisi, por një provë e qarte e asaj se çfarë shteti duam të jemi.
Gazeta RD