CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 82

Imuniteti i Ballukut, Rama thirret me urgjencë në Bruksel

Teksa Gjykata Kushtetuese po përpëlitet pa dinjitet për të zvarritur çështjen Balluku, duket se presioni ndërkombëtar mbi Edi Ramën po rritet në progresion asfiksues. Të hënën, kryeministri i Shqipërisë do të udhëtojë drejt Brukselit për t’u takuar me presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa.

Takimi i beftë dhe i palajmëruar vjen në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Shqipëri, veçanërisht ngërçit institucional të krijuar pas hetimit të SPAK ndaj Belinda Ballukut dhe refuzimit të mazhorancës për të dhënë autorizimin për arrestimin e saj.

Tashmë po bëhet gjithmonë e më e qartë se Brukseli ka perceptuar një kthesë në qëndrimin e Edi Ramës dhe maxhorancës socialiste në raport me drejtësinë e re. Teksa për vite me radhë kryeministri u është shitur ndërkombëtarëve si udhëheqësi i vetëm politik në Shqipëri që respekton pavarësinë e drejtësisë, çështja Balluku, por edhe ajo e AKSHI-t duket se e grisën perden e propagandës duke e detyruar Edi Ramën që tashmë të qëndrojë përballë drejtësisë për ta penguar atë.

Një burim në Bruksel i tha Kapitalit se një nga temat e nxehta që do të preket të hënën në Bruksel është pikërisht çështja e imunitetit të Belinda Ballukut. Në këtë pikë, kërkesa e Brukselit është e qartë. Edi Rama duhet ose të dorëzojë imunitetin e zëvendëses së tij, ose të bëjë llogaritë me atë që do të ndodh më pas me qëndrimet e Brukselit.

Nuk dihet nëse diskutimet për këtë temë do të bëhen pjesë edhe e njoftimit zyrtar, që do të nxirret pas takimit mes Antonio Costas dhe Edi Ramës. Por ajo që dihet është se këto kohë në kancelaritë e Europës ka patur lëvizje të shumta.

Këtë javë Antonio Costa dhe Ursula Von Der Leyen ishin të dy në Paris, ku u takuan me presidentin francez Manuel Macron.

Në Bruksel ka një rrymë që e njeh mirë fuqinë e madhe lobuese të Edi Ramës, e cila druhet se kryeministri shqiptar mund të lobojë përmes miqësive personale me Macron apo ndonjë udhëheqësi tjetër europian për të zbutur gjuhën dhe qëndrimin e Brukselit ndaj Shqipërisë.

Nuk dihet nëse në takimin e dyshes Costa-VDL me presidentin Macron është cekur edhe tema e Shqipërisë. Por pas mbledhjes së COELA-s javën e kaluar, ujrat janë trazuar jo pak.

Megjithatë kjo është një patate e nxehtë për Brukselin. Përplasja e qeverisë me SPAK-un konsiderohet me të vërtetë një vije e kuqe nga Bashkimi Europian, deri në pikën që të ndalojë përfundimisht integrimin. Por nga ana tjetër, nxjerrja e Shqipërisë nga orbita e anëtarësimit në Bashkimin Europian do të hapte kutinë e pandorës në të gjithë Ballkanin Perëndimor duke rrezikuar të hedhë në kosh dhe të çojë në dështim strategjinë e zgjerimit, e cila ka qenë një nga kartat kryesore të politikës së Brukselit këto vitet e fundit.

Gjithsesi zhvillimet janë intensive. Vetë Edi Rama tashmë e ka të qartë se marrëdhëniet e tij me Brukselin dhe udhëheqësit e Europës nuk janë më aq të ngrohta dhe miqësore sa dikur, kur i impresiononte me batuta dhe barcaleta. Tani gjërat janë bërë serioze për kryeministrin, të cilit me pak fjalë po i thonë lësho Ballukun (dhe pas Ballukut dihet se kë) ose harroje 2030-ën e integrimit.

Megjithatë kushdo që e njeh karrierën politike të Edi Ramës, e di se kryeministri i Shqipërisë deri më tani është rrëzuar gjithmonë në këmbë duke çuar në perfeksion artin e të mijetuarit politik. Këtë herë sfida gjithsesi duket më e vështira që ai ka patur. Sepse vjen nga dy fronte. Jo vetëm nga Brukseli, por edhe nga matanë oqeanit. Dhe mesazhi është gjithmonë ai. Lësho Ballukun (dhe pas saj e di vet ti). /Kapitali.al/

About Redaksia

Check Also

Vendimi/Balluku drejt burgut

Alibia e Ramës për të mos dorëzuar Ballukun në prangat e drejtësisë me pretekstin se …