Në një takim me demokratët e Degës 8 dhe 10 në Tiranë, deputeti i PD për Beratin, Zija Ismaili, njëkohësisht i deleguari i këtyre dy degëve, bëri thirrje për një protestë masive më 10 shkurt, që sipas tij cilësohet si “beteja vendimtare”.
Gjatë fjalës së tij, Ismaili, akuzoi kryeministrin Edi Rama se objektivi i tij i vetëm gjatë 12 viteve ka qenë pasurimi personal dhe shkatërrimi i opozitës për të pasur “fushë të lirë”.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht banorëve të Tiranës, të cilën e quajti lokomotiva e ndryshimit, që të bashkohen në shesh, në atë që e përshkroi si beteja finale për ta nxjerrë Shqipërinë “nga ky batak” dhe për ta zhdukur “këtë sekt”.
“Ju meritoni pjesën më të madhe të vëmendjes së Partisë Demokratike, pasi në të gjithë këtë kalvar që Partia Demokratike ka kaluar, ka kaluar në këto tre-katër vjet, ne duhet të përulemi para jush, pasi me të vërtetë jeni qendrëstarë. Ju e dini shumë mirë që në këto 12 vite Edi Rama nuk kishte objekt të qeveriste shqiptarët. Edi Rama kishte vetëm një objekt: të vidhte për veten e vet, të pasuronte veten dhe rrethin e ngushtë të vet dhe në fund të shkatërronte opozitën që ta kishte të gjithë kohën fushën të lirë.
Ai tentoi gjithë kohën, po kurrë nuk ia arriti se ja ku jemi tashti, jemi të gjithë bashkë, jemi të gjithë të bashkuar, dhe jemi të gjithë gati për t’i dhënë atë që ai meriton, atë që ne kemi bërë unë si student i dhjetorit, ish-student i dhjetorit, atë që kemi bërë në 20 shkurt të vitit 1991, e kemi gati tashti në datën 10, e kemi gati për ta hedhur Edi Ramën, për të hedhur të gjithë ish-komunistët, ish-Sigurimin e Shtetit, i cili sot është në pushtet. Dua t’ju them vetëm një gjë të vogël, duhet të jemi shumë të qetë dhe shumë të kthjellët. Sistemi i patronazhimit që ka ngritur sot Edi Ramaqë për të gjithë ne, dikujt i ka rënë flokët, dikujt i ka të thinjura, të jeni të bindur se ish-Sigurimi i Shtetit nuk ka qenë më i ashpër sesa ç’është sistemi i patronazhimit që sot ka ngritur Edi Rama.
Prandaj ne duhet të jemi të gjithë bashkë, duhet të jemi të grupuar, duhet të jemi ashtu siç kemi qenë edhe para 35 vjetësh, në datën 10, unë i bëj thirrje të gjithë popullit të Tiranës, pasi Tirana është lokomotiva, Tirana është ajo që e meriton, Tirana është ajo që i ka dhënë gjithë, gjithë kohën Partisë Demokratike atë që ka merituar. Ne sot jemi alternativa reale për ta nxjerrë Shqipërinë nga ky batak, për ta zhdukur njëherë e përgjithmonë këtë sekt. Prandaj unë bëj një thirrje, ju bëj një thirrje të ndërgjegjshme, ne në datën 10 duhet të jemi të gjithë në shesh, pasi kjo është beteja vendimtare që kanë shqiptarët”, u shpreh Ismaili.
Gazeta RD