Prokuroria pretendon se ata kryen ndalime arbitrare, tortura, vrasje dhe përndjekje, përfshirë edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Akt-akuza u konfirmua në tetor 2020, gjykimi filloi në prill 2023 dhe deri tani janë paraqitur qindra dëshmi. Me përfundimin e deklaratave nga të gjitha palët, trupi gjykues do të tërhiqet për vendimin përfundimtar.
Sot më 9 shkurt nis faza përmbyllëse e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të flasin para togave të zeza, sa i takon akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë periudhës 1998-1999.
Në fillim të gjyqit të sotëm në Hagë, foli prokurorja speciale Kimberly West, e cila ka kërkuar 45 vite burg në total për ish-krerët e UÇK-së.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha ajo.
Sipas saj, viktima kanë qenë serbë, romë, por edhe shqiptarë, që perceptoheshin si armiq. Prokurorja speciale ishte e ashpër me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo përmendi disa raste, duke thënë se kanë pasur “qëllim të përbashkët kriminal”. Ajo u shpreh gjithashtu se krimet individuale të individëve që janë në gjykim, “kanë shkaktuar shumë dhimbje tek të afërmit e viktimave”.
Prokurorja ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”, u shpreh ajo.
Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.
Prokuroria pretendon se ata kryen ndalime arbitrare, tortura, vrasje dhe përndjekje, përfshirë edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Akt-akuza u konfirmua në tetor 2020, gjykimi filloi në prill 2023 dhe deri tani janë paraqitur qindra dëshmi. Me përfundimin e deklaratave nga të gjitha palët, trupi gjykues do të tërhiqet për vendimin përfundimtar.
Gazeta RD