Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës në ‘Foltoren’ para kryeministrisë tha se, nesër është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE, Rama do ketë fatin e Enver Hoxhës për së gjalli.
Berisha tha se, Edi Rama me vendimin e sotëm u tha shqiptarëve se integrimin e japim, por korrupsionin nuk e dorëzojmë.
Berisha: Miq, në Bruksel, Edi Ramës do i transmetohej një mesazh: Mos pengo drejtësinë se ne të mbyllim derën. Ishte i thjeshtë.
Sot në mëngjes Edi Rama u përgjigj: më mbyllni derën se lëkurën time nuk e shes kurrë, se Lubinë nuk e dorëzoj, se po të dorëzoj Lubinë, duhet të dorëzoj veten time.
Pra, sonte çdo shqiptar ndodhet para këtij kërcënimi të tmerrshëm, madhor.
Edi Rama me vendimin e sotëm u tha shqiptarëve se integrimin e japim, por korrupsionin nuk e dorëzojmë. Por veten tonë, lëkurën tonë nuk e dorëzojmë.
Në këtë kuadër, protestat tashmë janë jetike dhe vendimtare për të shpëtuar atë ëndrrën që nuk ishte vetëm e jona, nuk është vetëm e jona, nuk ishte vetëm e studentëve të viteve ’90, por atë ëndërr që ishte e formësuar nga Rilindja jonë, të cilët për Shqipërinë parajsë, konsideronin ta shihnin zonjë mdis kombeve të tjera evropiane.
Kjo ëndërr e Rilindjes u bë ëndërr e rinisë shqiptare në vitet ’90, u bë motiv kryesor i asaj në luftën kundër diktaturës komuniste.
Në ndjekje të saj, PD, lokomotivë e proceseve të integrimit, ia doli të firmosë MSA-në.
Ia doli të liberalizojë vizat.
Ia doli të marrë rekomandimin për statusin e kandidatit.
Pra, ne ishim lokomotiva e integrimit në BE.
Programi ynë ka qëllimin më madhor, integrimin e Shqipërisë në BE.
Pas çlirimit të Kosovës, interesi ynë kombëtar, ylli ynë polar është integrimi i Shqipërisë në BE.
Tani, një bajloz i zi, një organizatë kriminale, do t’u mbyllë shqiptarëve rrugën drejt Europës.
Do të asgjësojë drejtësinë, shtetin ligjor, Kushtetutën, për të mbrojtur paratë e krimit, vilat, apartamentet, kontot bankare brenda dhe jashtë.
Shqiptarë, a do pranoni ju këtë?
Kurrë.
Ndaj dhe nesër është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE, për dyert e hapura të Shqipërisë.
Nesër, mesazhi ynë është një dhe vetëm një, mos guxo të luash me fatin e shqiptarëve, se fatin e Enver Hoxhës do kesh edhe ti për së gjalli.
Gazeta RD