Nga Ndriçim KULLA
Që Edi Rama është shndërruar nga arkitekt formal i “reformës në drejtësi” në tutorin real dhe përfituesin e saj politik, kjo tashmë nuk kërkon më prova spektakolare, as hetime epike. Mjaftojnë faktet e vogla, lidhjet e përsëritura, heshtjet selektive dhe drejtësia që vepron gjithnjë me një sy të mbyllur e tjetrin të kthyer nga zyra e Kryeministrit. Reforma, e shitur si katharsis institucional, ka përfunduar si instrument mbijetese për pushtetin, si një mur mbrojtës që nuk ndan shtetin nga krimi, por krimin nga përgjegjësia.
Por brenda kësaj morie faktesh, aferash, skandalesh të shpërndara si mozaik i një kalbëzimi të gjatë, çështja Balluku del nga rreshti. Ajo nuk është thjesht një dosje tjetër korrupsioni, as një kapitull rutinë i kapjes së shtetit. Ajo shfaqet si dramë, si nyjë tragjike, si dilemë e pastër makbethiane për Edi Ramën personalisht dhe për regjimin që ai ka ndërtuar.
Sepse këtu nuk kemi më të bëjmë me pyetjen klasike të pushtetit: a do të ndëshkohet një vartës?
Këtu pyetja është: a do të vetë-asgjësohet arkitekti për të shpëtuar fasadën?
Ta dorëzosh Belinda Ballukun në rrugën “normale” të hetimit , nëse diçka e tillë ende mund të quhet normale në një shtet të pushtuar , do të thotë të hapësh një portë që nuk mbyllet më. Sepse Balluku nuk është një ministre periferike, as një figurë e rastësishme e piramidës. Ajo është produkt i drejtpërdrejtë i pushtetit Rama, e ngritur, mbrojtur dhe fuqizuar brenda logjikës së urdhrit.
Në momentin që ajo ulet në bankën e drejtësisë, pretendimi zyrtar shembet. Aty nuk ka më “keqmenaxhim”, “gabime teknike”, apo “abuzime individuale”. Aty del fjalia e vetme e mundshme për mbijetesë personale:
“Gjithçka është bërë me urdhër.”
Dhe ky nuk është një supozim emocional, por një precedent botëror. Çdo regjim i kapur nga korrupsioni e ka përjetuar këtë çast: momentin kur vartësi bëhet pasqyrë, dhe pasqyra nuk reflekton më fytyrën e shitur në billboarde, por skeletin e pushtetit. Balluku, e futur në proces penal real, nuk do të ishte thjesht e pandehur; ajo do të ishte dëshmitare e strukturës së krimit shtetëror.
Në këtë kuptim, dorëzimi i saj është baraz me burgun e krimeve të Edi Ramës, dhe qartësisht me pranga fizike. Sepse prova që lidhin aferat energjetike, infrastrukturore dhe financiare me qendrën e pushtetit janë tashmë të shumta, të dokumentuara dhe të kuptueshme edhe për një drejtësi minimale.
Kjo është arsyeja pse dilema merr kuptim makbethian: si Makbethi, Rama e di që akti për të shpëtuar fronin është pikërisht akti që e shkatërron atë.
Por alternativa tjetër është po aq fatale. Ta mos e dorëzosh Ballukun, ta mbash nën mbrojtje politike, institucionale dhe mediatike, do të thotë të pranosh hapur se drejtësia është instrument i pushtetit, jo kundërpesha e tij. Dhe kjo tashmë nuk është më sekret i brendshëm, por perceptim i konsoliduar publik dhe ndërkombëtar.
Regjimi i Ramës sot ndodhet në atë që mund të quhet “syri i ciklonit”. Nga njëra anë, faktori ndërkombëtar – ai “sy i tretë” që sheh përtej retorikës – ka filluar të lexojë modelin shqiptar jo si eksperiment reformues, por si rast studimi të kapjes së drejtësisë. Heshtja e dikurshme është kthyer në vëzhgim të ftohtë, dhe vëzhgimi është gjithmonë pararendës i ndërhyrjes.
Nga ana tjetër, zemërimi popullor nuk është më thjesht pakënaqësi sociale. Ai është akumulim energjie, pritje e shkëndijës. Në regjime të tilla, nuk është skandali ai që rrëzon pushtetin, por perceptimi se askush nuk mban më përgjegjësi. Mos-dorëzimi i Ballukut do të ishte mesazhi final se ky pushtet nuk korrigjon, nuk ndëshkon dhe nuk reformon por mbron vetëm veten.
Dhe këtu shfaqet paradoksi tragjik: duke mos e dorëzuar, Rama nuk e shpëton veten, por e zgjat agoninë. Si Makbethi që, duke shmangur fundin, prodhon vetëm më shumë gjak, Rama, duke shmangur drejtësinë, prodhon vetëm më shumë krizë.
Në thelb, dilema Balluku nuk është më çështje juridike. Ajo është krizë ontologjike e pushtetit. Regjimi Rama ka arritur në pikën ku nuk është më i sigurt nëse ekziston si shtet apo vetëm si skenografi. Fotografitë e ngjyrosura, spektaklet verbale, ironia si armë politike – të gjitha këto kanë funksionuar për vite me radhë. Por tani, përballë kësaj dileme, ato duken si dekor i një tragjedie që po luhet pa publik.
Makbethi, në fund, nuk pyet më nëse është mbret, por nëse është real. Edhe këtu, pushteti Rama nuk pyet më nëse është i fortë, por nëse është i mbrojtshëm nga e vërteta. Dhe përgjigjja duket gjithnjë e më e zymtë.
Dilema makbethiane nuk ka zgjidhje të mirë. Ka vetëm zgjedhje të këqija dhe pasoja të pashmangshme. Dorëzimi i Ballukut çon drejt shembjes së brendshme të pushtetit. Mos-dorëzimi çon drejt shpërthimit të jashtëm të krizës. Në të dy rastet, miti i reformës, legjitimiteti moral dhe maskat e pushtetit bien.
Kjo është arsyeja pse çështja Balluku është më shumë se një aferë: ajo është moment historik, pika ku pushteti ose pranon të përballet me veten, ose vazhdon të jetojë si hije e vetvetes – deri sa hija të gëlltitet nga errësira që vetë ka krijuar.
Në këtë kuptim, Edi Rama nuk është më thjesht kryeministër. Ai sot është personazh tragjik, i burgosur në zgjedhjet e veta, i dënuar të zgjedhë mes dy rrugëve që të dyja çojnë drejt rënies. Dhe kjo është, ndoshta, forma më e pastër e drejtësisë që historia njeh.
Gazeta RD