Floriana Garo: Koha e frikës ka mbaruar, nesër protestojmë për Shqipërinë që duam

FJALA E ZËDHËNËSES SË PD, FLORIANA GARO NË FOLTOREN PARA KRYEMINISTRISË

I nderuari Kryetar i PD Sali Berisha,
Miq e pjesëmarrës, të dashur qytetarë që na ndiqni përmes ekraneve dhe rrjeteve sociale.
Sot nuk po flasim vetëm për politikë. Po flasim për jetët tona. Për përditshmërinë tonë. Për rininë e sotme, për brezin e ardhshëm. Për Shqipërinë që ëndërrojmë dhe për Shqipërinë që po na rrëshket nga duart.

Nuk ka më vend për iluzione. Shteti ka rënë. Bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës janë ose në burg, ose nën akuza të rënda për vjedhje — kjo nuk është më çështje perceptimi.

Ky është një realitet i hidhur që çdo familje shqiptare e ndjen në xhep, në shëndet, në arsim, në shpresë…

Prej më shumë se 1 dekade qytetarëve po u bëhet jeta e pajetueshme në vendin e tyre, të rinjtë largohen çdo ditë nga pamundësia. Shqipëria nuk është më e tyre, por e një grushti njerëzish që vetëm pasurohen. Kjo është një skemë e mirëfilltë. Dhe koka e kësaj skeme është kryeministri, të cilit tani i është çjerrë maska.

Sot, edhe mbështetja ndërkombëtare për të, nuk është më si dikur. Sepse e vërteta zhytet, po nuk mbytet. Shqipëria nuk e nxin faqen e saj në botë për shkak të opozitës. Jo! Shqipërinë e dëmtojnë aferat, skandalet, vjedhja dhe një qeverisje që e ka parë dhe e sheh vendin si pronë private.

Por miq, ky nuk është fundi i historisë sonë.
Ky është momenti i kthesës.

Rënia e këtij regjimi nuk është më çështje “a do të ndodhë”, por “kur do të ndodhë”. Dhe “kur” varet vetëm nga ne. Nga qëndresa jonë, nga protesta jonë, nga revolta jonë.

Nesër, më 10 shkurt, nuk kërkohet vetëm një protestë. Kërkohet një betim. Partia Demokratike dhe kryetari Berisha ua kanë shtrirë dorën të gjithë opozitës.

Po. Partia Demokratike është sot alternativa më e mirë për qytetarët. Po, kemi kaluar sfida. Po, kemi kaluar kohë të vështira. Por pikërisht këto sfida na kanë bërë më të fortë, më të vetëdijshëm, më të përkushtuar për t’i shkuar deri në fund këtij misioni. Rrëzimin e kësaj qeverie dhe zgjedhje të lira. Pastaj ju do mund të zgjidhni vetë.

Partia Demokratike ka treguar edhe më parë se di të punojë për një jetë më të mirë për shqiptarët. Ka treguar se zhvillimi nuk është slogan, por politika konkrete: punësim, arsim, një jetë me dinjitet për familjet shqiptare.

Imagjinoni një Shqipëri ku rinia të jetë përparësi, jo statistikë emigracioni.
Një Shqipëri ku askush të mos ndjejë se e ardhmja është diku tjetër, përveçse këtu.

Ne nuk premtojmë mrekulli. Por premtojmë zbatim të ligjit, dhe një shtet në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Të dashur miq, koha e frikës ka mbaruar. Koha e heshtjes ka mbaruar. Tani është koha e qëndresës, është koha e guximit, është koha e bashkimit.

Arsimtarë, mjekë, infermierë, fermerë, studentë, arkitektë e inxhinierë, gazetarë e analistë, juristë e taksistë, artistë e sportistë, sipërmarrës, demokratë, opozitarë e të paparti, nga Tirana e gjithë Shqipëria takohemi nesër, më 10 shkurt këtu në këtë shesh në orën 17.00 për të përshkuar së bashku kilometrin e fundit.

About Redaksia

Check Also

Ministres së Jashtme të Ramës ju refuzua vizita në Departamentin e Shtetit

Ndërsa nisej në Uashington në Mëngjesin e Lutjeve, njoftimet zyrtare të propagandës së regjimit theksonin …