Berisha: Protestat ndalën grushtin e shtetit! Rama kërcënimi më i madh për kombin!

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalimit të mbajtur në protestën e opozitës mbrëmjen e sotme, deklaroi se Shqipëria ndodhet në momentin më kritik të 35 viteve të fundit, duke e cilësuar kryeministrin Rama si kërcënimin më të rrezikshëm për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, me pasoja që tejkalojnë edhe ato të regjimit stalinist të Enver Hoxhës.

Berisha tha se qeverisja e Ramës ka prodhuar pasoja shkatërrimtare në vetëm 13 vite, duke rrënuar shtetin ligjor, ekonominë dhe shpresën e qytetarëve. Berisha e akuzoi Ramën për përpjekje për grusht shteti përmes presionit ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës Kushtetuese, me qëllim mbrojtjen e zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive shumëmilionëshe, përfshirë çështjen e tunelit të Llogarasë dhe projektin Qukës–Qafë Plloçë.

Sipas Berishës, protestat e opozitës dhe reagimi qytetar kanë qenë vendimtare për dështimin e fazës së parë të këtij grushti shteti, duke dhënë një mesazh të fortë brenda dhe jashtë vendit se shqiptarët nuk do të tolerojnë kapjen e drejtësisë për të mbrojtur korrupsionin. Ai paralajmëroi se çdo tentativë e dytë për të sfiduar institucionet kushtetuese do të dështojë sërish.

Kryetari i PD-së akuzoi Ramën për shndërrimin e Shqipërisë në narkoshtet, për farsë zgjedhore dhe për përzënien masive të shqiptarëve nga vendi, duke theksuar se mbi 1 milion qytetarë janë larguar për shkak të kushteve të papërballueshme të jetesës, mungesës së perspektivës dhe korrupsionit të shfrenuar. Berisha tha se rinia është goditur më rëndë, duke e lënë vendin pa të ardhme.

Lideri historik i PD, Sali Berisha solli në vëmendje edhe akuzat për grabitjen e fondeve publike, duke deklaruar se gjatë 12 viteve janë administruar rreth 67 miliardë euro, nga të cilat shumica dërrmuese janë vjedhur përmes një sistemi të organizuar korrupsioni, ku përfshihen zyrtarë të lartë dhe familjarë të kryeministrit.

Në fjalimin e tij, Berisha u ndal edhe te çështjet rajonale, duke shprehur mbështetje për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke akuzuar Edi Ramën se vepron në një linjë me interesat e Beogradit, ndërsa e cilësoi largimin masiv të shqiptarëve si krim kundër njerëzimit.

Kreu i opozitës paralajmëroi se Rama, për t’i shpëtuar drejtësisë, është i gatshëm të sakrifikojë procesin e integrimit europian, duke e shkëputur Shqipërinë nga Bashkimi Europian. Sipas tij, me këtë qeveri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj largimi i Ramës nga pushteti është kusht për rikthimin e votës së lirë dhe demokracisë.

Berisha bëri thirrje për bashkim të të gjitha forcave opozitare dhe qytetarëve, përtej ideologjive politike, duke e cilësuar këtë si mision kombëtar për shpëtimin e Shqipërisë. Ai theksoi se vetëm përmes revoltës paqësore mund të shembet narkoshteti dhe të rikthehet shteti ligjor.

Kryetari i PD, në përmbyllje të fjalës së tij theksoi se opozita ndodhet në “kilometrin e fundit” të betejës, se sakrificat nuk kanë shkuar dëm dhe se largimi i Edi Ramës është i pashmangshëm.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare, shqiptarë dhe shqiptare kudo që ndodheni sot, përshëndetjet më të përzemërta për ju misionare dhe misionarë të pamposhtur të Shqipërisë, Shqipërisë së shpresës, Shqipërisë së fitores.

Të dashur miq, zhvillimet e ditëve të fundit bëjnë që ne të mblidhemi sot në këtë shesh, në këtë bulevard në kushte ndër më alarmantet.

Ndoshta jemi mbledhur në kryengritjen tonë paqësorë në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit.

Ndaj dhe më duhet të nis këtë fjalë me një shprehje që sot tingëllon më aktuale, më e rëndësishme se kurrë.

Ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta përsërisin atë.

Miqtë e mi, Shqipëria është një vend i bekuar.

Ne jemi të bekuar më së pari sepse kemi njëri-tjetrin.

Ja ku jemi këtu, një det i madh luftëtarësh, guximtarësh, njerëz që janë të vendosur t’i dalin zot Shqipërisë.

Shqipëria është një vend i bekuar prej pasurive përrallore që Zoti i ka dhuruar asaj.

Por ne jemi një vend i bekuar për traditat tona të mrekullueshme të mbartura gjeneratë pas gjenerate, brez pas brezi, shekull pas shekulli.

Mirëpo nëse Shqipëria është e bekuar me popullin e saj, me pasuritë e saj, me traditat e saj, nuk mund të mohohet se ne kemi qenë apo kemi përjetuar shekuj pas shekujsh mallkime.

Në njëfarë mënyrë ne kemi përjetuar dhe provuar armiq të egër, pa mëshirë ndaj nesh, armiq që i kanë sjellë dëmet më serioze kombit tonë.

Kurrë ne nuk duhet të harrojmë shekullin që lamë pas, diktaturën hoxhiste të Enver Hoxhës, krimet shtazore që ajo kreu ndaj shqiptarëve, vrasjet, persekutimet, pushkatimet, kampet e përqendrimit, policinë sekrete famëkeqe.

Nuk duhet të harrojmë izolimin më të thellë që përjetuam, shkëputjen e Shqipërisë nga trungu i familjes së vendeve të qytetëruara, izolimin e saj nga Europa dhe bota demokratike.

Të gjitha këto i vodhën Shqipërisë 45 vite jetë, gati gjysmën e shekullit të kaluar.

Asnjë nuk ka dyshime se Enver Hoxha ka qenë një armik i egër, ashtu siç e quajti Europa, ishte Hitleri shqiptar i pasluftës së dytë botërore.

Të dashur miq, ne nuk duhet të harrojmë se Partia e Punës dhe Enver Hoxha, ky armik i egër, na qeverisi për 45 vite, pavarësisht krimeve të tij monstruoze të panumërta.

Por sot, çfarë po ndodh me Shqipërinë?

Nëse shekullin e kaluar, Shqipëria u mbajt peng 45 vite, këtë shembull, në një kohë me një shpejtësi krejt tjetër, Shqipëria po përballet me pasoja akoma më katastrofike.

Prej 13 viteve të fundit, pasoja që gërryejnë, rrënojnë çdo ditë vetë ekzistencën e shqiptarëve si banorë të saj.

Me pasoja që ditën e sotme nga Brukseli, BE, për shkak të vjedhjes së papërmbajtur të shqiptarëve nga Ramaduro, dërgon paralajmërimin më ogurzi për Shqipërinë.

Si kurrë më parë për ndonjë vend tjetër, paralajmërimi për zhbërjen nga e para të udhëtimit tonë 32-vjeçar plot sakrifica, shpresa, ëndrra drejt BE.

Miq, e kemi quajtur Rilindjen qeveri të paligjshme sepse e tillë është.

Kemi çdo dokument që fakton farsën zgjedhore të 11 majit.

E kemi quajtur narkoshtet sepse i tillë është.

Kemi 7 rezoluta ku partitë kryesore që drejtojnë sot në Europë dhe në botë pajtohen me këtë fakt.

Por jemi treguar të butë.

Jemi treguar të kursyer me emërtimet tona.

Sepse po të marrësh vetëm ngjarjet e ditëve të fundit, Edi Rama është në fakt armiku më i pamëshirë i të sotmes dhe të ardhmes së shqiptarëve në Shqipëri.

Edi Rama është kërcënimi më i rrezikshëm që tejkalon edhe ato kërcënime të regjimit stalinist të Enver Hoxhës, po t’u referohemi shifrave, fakteve, ngjarjeve.

Marrim vetëm ngjarjen e fundit, ishim në pragun e një grushti shteti brenda shtetit.

Edi Rama përdori të gjithë pushtetin e ekzekutivit për bllokimin e prokurorisë dhe presionet e të gjitha llojeve ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Për të mbrojtur bashkëhajduten e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë.

Për të mbajtur në detyrë bashkëautoren e vjedhjeve të qindra e qindra milionë eurove.

Për të mbrojtur bashkëhajduten që ndërtoi rrugën Qukës-Qafë Pllocë me 9 milionë euro kilometrin, pa asnjë urë, pa asnjë tunel, aq sa ka kushtuar Rruga e Kombit e cila ka dhjetëra ura e tunele dhe afërsisht është tre herë më e gjerë.

Dy muaj, Edi Rama u përpoq të bëjë grusht shteti për të mbrojtur Lubinë sepse mbrapa sa është vetë ai, është Edi Rama.

Mirëpo faza e parë e këtij grushti shteti dështoi.

Dhe këtu, ju burra dhe gra, djem dhe vajza në këtë shesh, keni të gjithë pjesën e kontributit tuaj me protestën tuaj.

Dhe për këtë, keni falënderimet dhe mirënjohjen time më të thellë.

Revolta juaj në protestën e kaluar dha një sinjal të qartë brenda dhe jashtë vendit se ne nuk do të tolerojmë kurrë grushtin e shtetit për të mbrojtur vjedhjet e Edi Ramës dhe Lubisë së tij.

Dhe ja ku jemi këtu, përcilljani atij hajduti dhe mos e mbroni atë.

Ja ku jemi këtu Edi Rama, edhe grushtin e dytë që po përgatit, do të dështojë.

Dhe, shkurti është muaji kur ne zvarritëm diktatorin, shkurti është muaji kur ne do çlirojmë Shqipërinë.

Po të mos ishit ju, viganë, që me guximin tuaj morët në dorë gazin dhe helmin dhe ua flakët mbrapsht hajdutëve, po të mos ishte juaj që me revoltën tuaj shpëtuat nderin dhe dinjitetin e çdo shqiptari, po të mos ishit ju që me trimërinë tuaj u bëtë lajm kryesor në Europë dhe në botë, po të mos ishit ju që rezistuat përballët helmit të skaduar dhe u përballët dhëmb për dhëmb me regjimin, absolutisht Edi Rama do ia kishte dalë me grushtin e shtetit.

Por ky grusht shteti dështoi sepse siç e patë, e denoncuam atë edhe në kancelaritë më të larta të Europës, kur puthadorët e regjimit shpërndanin lajmet e rreme se gjasme Berishës iu ndërpre fjala në Strasburg.

Në fakt, unë po bëja detyrën time para jush, po denoncoja me forcën më të madhe në aulën e demokracisë evropiane, Edi Ramën si kryehajduti i kombit shqiptar, Ramaduron si ndërtuesin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.

Kjo pra, miqtë e mi, është opozita e vërtetë.

Revolta juaj është sot zëri i ndërgjegjes qytetare, zëri i dinjitetit qytetar, zëri i ndërgjegjes kombëtare, zëri i dinjitetit kombëtar.

Zoti u bekoftë ju, familjet tuaja dhe shqiptarët kudo që janë.

Miq, mund të thonë shumë gjëra kundër nesh.

Mund të na sulmojnë ditë e natë me banalistë dhe televizionet e qeverisë. Por e vërteta është se ne, opozita e vërtetë, me revoltën tonë, parandaluam grushtin e shtetit më të rrezikshëm në historinë e Shqipërisë.

Mirëpo, fituam një betejë. Fituam një betejë shumë të rëndësishme, por nuk kemi fituar ende luftën.

Edi Rama, siç e patë, i ka shpallur luftë drejtësisë, ai deklaroi se në fazën tjetër të grushtit të shtetit, nuk do përfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Dhe, nëse ne duam të çojmë në fund këtë betejë, nëse ne duam vërtet të shpëtojmë Shqipërinë, ka ardhur koha që Edi Ramën që tentoi grushtin e shtetit dhe deklaron se nuk heq dorë nga grushti i shtetit, ta shpallim armikun jo vetëm më të pamëshirë, por edhe më të rrezikshëm për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Edi Rama është armiku më i rrezikshëm i Shqipërisë jo vetëm prej ngjarjeve të fundit.

Çdo shifër, çdo zhvillim i këtyre 13 viteve flet për një rrënim të Shqipërisë, me autor kryesor Edvin Ramën, Pashiqin shqipfolës për shqiptarët.

Të dashur miq, dje në Hagë, prokuroria paraqiti një pretencë kundër ish-udhëheqjes politike të Kosovës, identike me pamflete e propagandës së verbër ultranacionaliste serbe.

Nga kjo platformë, në emër tuaj, i shpreh besimin e plotë gjykatësve, u bëj thirrje të vlerësojnë gjithçka mbi bazën e ligjit.

Të shpallin pafajësinë e atyre burrave që me guxim dhe heroizëm mbrojtën dhjetëra mijëra shqiptarë nga gjenocidi më i egër, gjenocidi serb.

Zotërinj gjykatës, Ballkani ka njohur gjenocide të tmerrshme dhe dy janë sot faqezinjtë më të mëdhenj të tyre, Aleksandër Vuçiç në Beograd që mori pjesë në safarin e qytetarëve në Sarajevë dhe që nuk njoh gjenocidin serb në Bosnje, i dyti argati i tij, Edi Rama, i cili ka përzënë 1 milionë shqiptarë.

I cili me kushtet e kalkulueshme për largimin dënohet për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në përputhje me konventën e OKB, nenin pesë të saj.

Ndaj dhe zotërinj gjykatës, për të bërë drejtësinë, duhet që këto dy monstra të ulen në Hagë para jush dhe jo luftëtarët e lirisë.

Të dashur miq, Edi Rama në 12 vite ka marrë përsipër misionin makabër të shpërbërjes së kombit tonë, pasurisë më të madhe që ka Shqipëria, duke e përgjysmuar atë në 10 vite, duke e shndërruar atë në një të ardhme jo të largët në një territor gjeografik të zbrazur nga banorët e saj të lashtë mijëravjeçarë, të zbrazur nga shqiptarët.

Kush u largua këto vite?

Ka përzenë gjerësisht moshën e re, ka përzënë rininë, duke i rrëmbyer Shqipërisë të ardhmen.

Shqipëria pa rini do të thotë Shqipëri pa të ardhme.

300 apartamente rezulton se ka Lubia, ndërsa 104 vite duhet të paguajë një i ri për të blerë një apartament dhe për të ndërtuar folenë e tij.

E kuptoni se nuk mbrohen hajdutët, o të nderuar policë? Ikni më mirë, se nuk keni punë aty.

Betejën e kemi me hajdutët!

Ka përzënë shtresën e mesme duke ua bërë jetën të papërballueshme. 33 mijë euro po shishën e verës, pi pra një shishe vere sa ç’merrni 6 prej jush rrogën vjetore.

E kuptoni kë mbroni, apo jo?

Me taksa ua mori edhe ato pak fitime bizneseve të vogla dhe i përzuri nga Shqipëria.

Vetëm kaq do mjaftonte që Edi Rama të quhej armiku më i rrezikshëm i Shqipërisë.

Shkojmë më tutje. Edi Rama në 12 vite vodhi dhe plaçkiti Shqipërinë sa asnjë pushtues tjetër në histori.

67 miliardë janë administruar nga Edi Rama këto 12 vite, hiq rrogat dhe të paktën 90% e këtyre parave janë vjedhur.

Vetëm dosjet e AKSHI-t mjaftojnë për të kuptuar se inceneratori nuk ishte një skenë e vetmuar, por një sistem vjedhje që përdoret për të grabitur 90, dhe herë 100% të parave të shtetit nga vetë Rama, baxhanaku i tij, familjaret e tij.

Vjedhje të tilla vetëm një armik i pamëshirë është i aftë t’i bëjë një kombi.

Sepse të vjedhësh një komb për 13 vite, i shkakton pasoja shumë të rënda.

Ti ndalon 13 vite zhvillimin normal që duhej të kishte vendi.

Revolta dhe vetëm revolta, revolta për largimin e tij, është kushti i të gjitha kushteve për të fituar kohën e humbur.

Ti, Edi Rama, le mbrapa popullin për 13 vite për paga dhe pensione.

Revolta dhe vetëm revolta për largimin e tij është rruga drejt begatimit për qytetarët shqiptarë.

Ti, Edi Rama, me një krim të vërtetë kundër njerëzizmit, i lë të sëmurët pa ilaçe.

Revolta dhe vetëm revolta për largimin e tij është rruga për të siguruar shërbimin mjekësor që të sëmurët meritojnë.

Ti i lë qytetarët në mëshirë të fatit pas një përmbytje apokaliptike siç ndodhi në Durrës.

Revolta dhe vetëm revolta është rruga për largimin e tij dhe rikthyer qytetarëve shtetin që meritojnë.

Miq, kjo nuk ka një mandat apo dy që po ndodh, janë katër mandate që Shqipëria po vidhet pa ndalim, vit pas viti.

Edi Rama nuk mjaftohet vetëm duke vjedhur dhe përzënë shqiptarët, por ai tani, pasi BE i tha se duhet të përballet me ligjin, duhet të përballët me drejtësinë për pasuritë që u ka vjedhur shqiptarëve ai dhe ministrat e tij si organizatë kriminale, ka vendosur të shkëpusë Shqipërinë nga integrimi në BE, të shkatërrojnë ëndrrën e dhjetëra brezave të këtij kombi për Shqipërinë, zonjë në Europë.

Revolta dhe vetëm revolta e shqiptarëve dhe largimi i tij është rruga për të mbrojtur ëndrrën evropiane si ëndrrën më të bukur të kombit tonë.

Së fundmi, Edi Rama është armiku më i rrezikshëm i shqiptarëve sepse ai kërkon t’i shkatërrojë Shqipërisë dhe kombit shqiptar traditat.

Kurrë më parë ndër shekuj ndonjë armik nuk ka ndërmarrë një sulm të tillë ndaj shqiptarëve.

Dhe nga të gjitha dëmet që Edi Rama i ka shkaktuar Shqipërisë, vetëm kjo nuk riparohet.

Sepse, nëse nuk e prandalojmë atë sot, ajo do jetë rrënimtare përfundimisht për ne.

Shqipërinë e larguar mund ta rikthejmë me politika dhe incentivat e duhura.

Paratë e vjedhura do i gjejmë dhe do ua kthejmë një për një shqiptarëve.

Rrogat dhe pensionet, minimumin jetik do t’i dy-trefishojmë.

Por miqtë e mi, nëse lejojmë këtë sekt antishqiptar të shkatërrojë më të shenjtën, familjen shqiptare, de facto është shkatërrim i Shqipërisë.

Sepse familja ka qenë shtylla më kryesore e ekzistencës sonë.

Ndaj dhe përgjigja jonë do jetë, revoltë, revoltë dhe vetëm revoltë për të mbrojtur familjen shqiptare.

Revoltë paqësore sepse ne jemi PD.

Me revoltë paqësore ne shembëm diktaturën hoxhiste komuniste, me revoltë paqësore do shembim narkoshtetin e Ramaduros.

Por me revoltë paqësore ndaj një armiku që e ka çuar Shqipërinë në pikën më kritike të ekzistencës së saj.

Çdo shqiptar duhet të jetë i qartë sot në pritshmëritë që ka ndaj popullit shqiptar.

Kundër një armiku të tillë që sot ka të gjitha pushtetet dhe mbështetet nga kartelet e drogës më të dhunshme, më të fuqishme në botë, nuk fitohet vetëm.

Të gjithë e patë ju se çfarë ishte Edi Rama i aftë të bëjë kundër Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur vjedhjet e tij.

Ndaj cilido që mendon se një opozitë mund të fitojë zgjedhjet kundër tij, është jashtë realitetit.

E kemi thënë dhe e themi përsëri, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka dhe opozita nuk fiton kurrë një farsë elektorale.

Asnjë nuk ka të ardhme pa votën e lirë.

Ndaj dhe për të votuar të lirë dhe me dinjitet, të ngrihemi, të largojmë Edi Ramën nga pushteti, të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, drejt të ardhmes që meritojmë.

Shqipëria është vendi i ëndrrave rinore të dënuara.

Sot çdo shqiptar të mos harrojë se me narkoregjimin e Edi Ramës, dyert e hapura të Europës janë të mbyllura.

BE nuk është klubi i hajdutëve dhe trafikantëve, por është bashkimi i njerëzve të barabartë para ligjit, i votës së lirë, i shtetit ligjor.

Ndaj dhe kam një thirrje për çdo forcë opozitare, për çdo opozitar të këtij regjimi, për çdo qytetar të këtij vendi, u bëj thirrje jo si lider i partisë më të madhe opozitare, por si qytetar, si shqiptari-shqiptarit, le të bashkohemi.

Çdo opozitar dhe çdo qytetar që sot është kundër bashkimit, ta dijë mirë se turpëron veten e tij para shqiptarëve.

Kur ishte nevoja kundër Hitlerit, u bashkua Amerika me Bashkimin Sovjetik, kurse ne shqiptarët, opozitarë nuk u bashkokemi dot kundër Edi Ramës?

Ai që mendon se humbet vota nga bashkimi, harron se votat nuk kanë asnjë vlerë sa kohë që Edi Rama është në pushtet.

Por e kundërta, nga bashkimi dhe sidomos nga triumfi i bashkimit, largimi i Edi Ramës, të gjithë fitojnë.

Jo vetëm do të shtohen votat e secilit, por ato vota do kenë peshën dhe vlerën që meritojnë.

Sepse do i kthejmë zgjedhjet e lira dhe të barabarta siç ishin ato në vitin 2013, kur ndodhi rotacioni i fundit i pushtetit në Shqipëri.

Le të bashkohemi pra kundër armikut më të rrezikshëm të Shqipërisë, Edi Rama, jo për ideologji, as për politikë, por për misionin më të shenjtë që një shqiptar mund t’i caktohet, shpëtimin e Shqipërisë.

Do ta mbyll këtë fjalë me një thirrje për demokratët, për opozitarët dhe për mbarë shqiptarët e duan këtë vend.

Keni sakrifikuar shumë, sidomos katër vitet e fundit, u është dashur të veproni më shumë se sa si opozitarë në kushte normale.

Keni pasur përballë kartelet e drogës, sulmet dhe mashtrimet e medieve të kontrolluara, mburojën e lobingjeve të korruptuara të narkoregjimit.

Me hidhërim kemi parë edhe tradhtarë, lakej, pseudodemokratë që u larguan nga ne dhe u bashkuan me flamurin e zi të Edi Ramës.

Por, jemi në kilometrin e fundit.

Sakrificat tona nuk kanë shkuar dëm.

44 protesta u deshën për të çuar prapa hekurave hajdutin e tretë më të madh të Shqipërisë.

Me një betejë vigane kundër gazit dhe helmit parandaluam grushtin e shtetit që mbronte hajduten e dytë më të madhe të Shqipërisë.

Tani radhën e ka hajduti kryesor, armiku më i rrezikshëmm, më i pamëshirë i shqiptarëve.

Jemi në kilometrin e fundit, por të mos harrojmë se kilometri i fundit kërkon edhe përpjekjet më të mëdha.

Jemi shpresa e fundit e shqiptarëve, le të hedhin ujë dhe gaz dhe çfarë të duan mbi ne, por përballë hajdutëve asgjë nuk na zmbraps.

Shumë herë më të vendosur.

Shumë herë më të revoltuar.

Shumë herë më të bashkuar.

Shumë herë më të guximshëm.

Shumë herë më të palëkundur në kryengritjen tonë paqësore.

Rrofshi ju, rroftë PD, opozita shqiptare, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

About Redaksia

Check Also

Vjen ultimatumi amerikan për Ramën/ “Respekto drejtësinë, kusht për bashkëpunimin”

Përmes një gjuhe të qartë Shtetet e Bashkuara i kanë bërë sonte një paralamërim politik …