Dekalogu i korrupsionit, urrejtjes dhe abuzimeve të Ramës 2025

Nga Bujar Leskaj

Gjatë vitit 2025, sekti Rama në pushtet “shkëlqeu” në risi abuzimesh dhe korrupsioni. Po rendis dhjetë kryesoret prej tyre, mes një armate skandalesh dhe aferash korruptive:

1. Farsa zgjedhore 2025 dhe abuzimet me financat dhe administratën e shtetit të sektit në pushtet

Zgjedhjet e 11 majit 2025, nga raportet e analistëve të pavarur dhe organizatave monitoruese ndërkombëtare, ishin një proces i pabarabartë. Jo vetëm opozita, por edhe mediat e pavarura sollën prova të pakundërshtueshme për përdorimin e burimeve financiare publike nga sekti në pushtet, në nivele dhjetra e dhjetra milionë euro, në funksion elektoral.
Investimet e shpejta, subvencionet apo projektet e shpallura gjatë periudhës zgjedhore krijuan një avantazh të qartë dhe masiv politik për Ramën.
Investimet publike në prag zgjedhjesh, projektet infrastrukturore, shpërndarja e ndihmave apo nisma sociale pranë zgjedhjeve ishin pjesë e një strategjie elektorale të pabesë dhe të orientuar në shfrytëzimin e plotë të institucioneve dhe të administratës shtetërore për qëllime votimi.
Rezultati zgjedhor erdhi si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e këtij (sh)përdorimi të burimeve financiare dhe njerëzore publike, që përfaqëson blerje të votës në dritën e diellit. Dhe ky rezultati i fituar në këtë mënyrë ka tronditur thellë besimin e qytetarit tek demokracia dhe vota e lirë në Shqipëri.

2. Skandalet me tenderat publikë të AKSHI-t

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni që duhet të udhëheqë transformimin digjital të administratës publike të vendit, ndodhet sot me një ish-drejtoreshë në gjendje arresti shtëpiak, për shkak të abuzimeve me tenderat dhe fondet publike.
Deri tani, hetimet kanë zbuluar se Shqipëria publike digjitale ose kopshti privat i korrupsionit të Ramës ka prodhuar procedura prokurimi, ku pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë ka qenë minimale ose formale. Në shumë raste, tenderat janë zhvilluar me një ofertues të vetëm ose me kritere teknike shumë specifike, të cilat sipas ekspertëve mund të kufizojnë konkurrencën dhe të orientohen drejt kompanive të caktuara.
Ky fenomen jo vetëm ka rritur dyshimet për mungesë transparence, por ka sjellë që shteti të paguajë më shtrenjtë për shërbime apo produkte teknologjike që mund të siguroheshin me kosto më të ulët në një garë reale.
Projektet e digjitalizimit që kërkojnë investime të mëdha, platforma, sisteme IT apo shërbime cloud janë kontraktuar me vlera të konsiderueshme, ndërkohë që rezultatet konkrete për qytetarët apo administratën publike nuk kanë qenë gjithmonë të dukshme ose të matshme. Publikimi i kufizuar i të dhënave mbi kontratat, specifikimet teknike dhe zbatimin e projekteve dhe mungesa e auditimeve të pavarura teknike dhe financiare e ka bërë të vështirë, gati të pamundur, vlerësimin real të eficiencës së këtyre investimeve.
Çdo dyshim mbi tenderat publikë prek drejtpërdrejt besimin e qytetarëve tek institucionet. Në rastin e AKSHI-t, kjo është edhe më problematike, sepse agjencia është simbol i modernizimit shtetëror. Nëse proceset digjitale shoqërohen me dyshime për korrupsion apo favorizime, vetë narrativa e transformimit digjital dobësohet deri në shkatërrim të plotë.

3. Investimet e mëdha infrastrukturore nën dyshime të forta për favorizime okulte dhe korrupsion

Viti 2025 solli në qendër të hetimit nga ana e SPAK, por edhe të debatit publik disa nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri, veçanërisht Tunelin e Llogarasë dhe segmentet e Unazës së Madhe të Tiranës. Këto investime, të prezantuara si projekte strategjike për zhvillimin ekonomik, turizmin dhe përmirësimin e trafikut urban, konfirmuan akuzat dhe dyshimet e opozitës për devijime dhe abuzime të mundshme me kostot dhe procedurat e prokurimit.
Tuneli i Llogarasë është nën hetim për abuzim në favor të kompanisë turke dhe në dëm të kompanisë shqiptare pjesëmarrëse në tendër, për koston e lartë, ndryshimet në kontrata dhe dyshimet për procedurat e tenderimit.
Edhe Unaza e Madhe e Tiranës është nën hetim lidhur me procedurat e tenderimit, favorizimin e kompanive të caktuara dhe kostot shtesë të saj. Kudo ku sekti Rama vendos vulën e tij të pistë, ka hetime dhe dyshime për abuzime dhe korrupsion.

4. Politikat fiskale si favorizim ndaj kompanive të mëdha kliente të sektit Rama

Ndryshimet fiskale të ndërmarra gjatë vitit 2025 në sektorë strategjikë si turizmi, energjia, infrastruktura dhe teknologjia e përkeqësuan klimën e biznesit. Ndërsa qeveria i prezantoi si përpjekje për të nxitur investimet, formalizimin e ekonomisë dhe konkurrueshmërinë, skandali i Parkut Teknologjik Durana tregoi qartë qëllimin e vërtetë të këtyre ndryshimeve: favorizimin e bizneseve pranë qeverisë dhe vetë Ramës.
Uljet selektive të taksave, incentivat fiskale dhe politikat mbështetëse për gjoja investitorët e mëdhenj, kanë bërë që të përfitojnë shumë kompani të mëdha ose projekte specifike, ndërsa bizneset e vogla dhe të mesme nuk kanë ndjerë të njëjtin lehtësim. Perkundrazi! Kjo ka ushqyer me të drejtë perceptimin se politikat fiskale 2025 kanë favorizuar veprimtarë ekonomikë të lidhur me pushtetin politik të Ramës.
Këto incentiva fiskale kanë deformuar konkurrencën dhe kanë ulur besimin në barazinë para ligjit.

5.Korrupsioni në ushtri përmes KAYO, fusha “inovative” e korrupsionit të Ramës

KAYO dhe korrupsioni në ushtri do të hyjnë në historin si korrupsioni i ri “inovativ” i Ramës, nëse do t’i ngelet kohë, në krye të punëve të pista në Shqipëri. Autokrati Rama ka gjetur fushën e duhur dhe personin “e duhur” në krye të KAYO-s, një drejtues me përvojë negative dhe tregues negativë.
Në korrik të vitit 2025, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të gjerë ushtarake me Izraelin. Për shumë muaj ky nënshkrim u pa thjesht si një marrëveshje normale midis dy qeverive, për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes. Vetëm pak kohë më parë u zbulua se marrëveshja nuk ishte thjesht një marrëveshje mes dy qeverive, por një biznes sekret qindra milionë dollarësh, i KAYO-s me një kompani private izraelite, e cila sot po hetohet nga NATO për korrupsion me Agjencinë e tenderimeve të vetë NATO’s!

6. Subvencionet selektive në bujqësi

Sekti Rama ka shitur idenë se dhjetra milionë eurot e subvencioneve të drejtpërdrejta në bujqësi janë përqendruar në sektorë me potencial më të madh zhvillimi, si serrat, blegtoria intensive, agropërpunimi dhe eksportet bujqësore. Në të vërtetë, subvencionet nuk kanë ndihmuar fermerët e vegjël dhe me pak tokë. Kanë shkuar në shumicë tek tregtaret e produkteve bujqësore dhe tek kompanitë e organizuara. Fermerët e vegjël janë lënë pothuajse tërësisht jashtë, sidomos ata në zona të thella rurale, për shkak të vështirësive në aplikim, kritereve të komplikuara dhe aksesit të kufizuar në informacion.
Kjo ka krijuar perceptimin se edhe fondet e mbështetjes në bujqësi 2025 përfunduan kryesisht tek tregtarët e inputeve bujqësore, tek fermerët më të mëdhenj ose tek subjektet më të organizuara, duke rritur diferencat brenda sektorit.
Subvencionet bujqësore mund të kishin ndikim të rëndësishëm në frenimin e emigracionit rural, rritjen e të ardhurave dhe stabilitetin social. Për fat të keq, nëse shpërndarja perceptohet si e padrejtë, sikurse ka ndodhur edhe në vitin 2025, ato kanë krijuar tensione dhe zhgënjim tek fermerët.

7. Menaxhim skandaloz i pronave publike

Edhe gjatë vitit 2025, tokat shtetërore, pasuritë bregdetare, ndërtesat publike dhe asetet strategjike janë vënë në ankand nga sekti në pushtet, duke sfiduar transparencën, ligjshmërinë dhe interesin publik.
Vendimet për dhënie me koncesion, privatizim apo zhvillim urban janë shoqëruar me akuza të forta për mungesë gare reale dhe menaxhim joefikas. Projektet turistike dhe urbane kanë nxitur diskutime mbi balancën mes interesit publik dhe zhvillimit ekonomik.

8. Transparenca e mangët buxhetore

Transparenca buxhetore është një element thelbësor i qeverisjes së mirë, pasi garanton llogaridhënie, kontroll publik dhe përdorim më efikas të fondeve shtetërore. Edhe gjatë vitit 2025, mënyra e hartimit, publikimit dhe monitorimit të buxhetit në Shqipëri rezultoi me mungesa të theksuara dhe kronike të informacionit të detajuar dhe të qartësisë në shumë vendimmarrje të rëndësishme financiare.
Realizimi i buxhetit përmes akteve normative, i kritikuar me forcë nga FMN, u kthye në normë! Buxheti 2025 vuajti nga (i) publikimi i kufizuar i detajeve mbi shumicën dërrmuese të projekte dhe kontrata publike, nga (ii) ndryshime buxhetore gjatë vitit pa komunikim të plotë publik, nga (iii) perceptimi për mungesë konsultimi me grupet e interesit dhe ekspertët, si dhe nga (iv) nga raportimi jo gjithmonë i qartë mbi realizimin e investimeve.
Mungesa e qartësisë në buxhetim ka krijuar pasiguri, sidomos për bizneset dhe investitorët e huaj që kërkojnë parashikueshmëri fiskale dhe stabilitet institucional.

9.Kuvendi 2025: i shndërruar në noter të rëndomtë dhe dekor

Sjellja politike e Edi Ramës edhe gjatë vitit 2025, ka treguar hapur një përçmim sistematik ndaj Kuvendit. Seancat plenare u reduktuan në formalitet, debati u zëvendësua nga monologu, ndërsa vendimmarrja reale ndodhi jashtë Kuvendit: në Kryeministri, në zyra të mbyllura, ose në marrëveshje të padeklaruara.
Përdorimi më i paskrupullt që i bëri maxhorances Rama ishte shurdhimi i zërit të saj, zerimi i personalitetit të Kryetarit të Kuvendit, me mosveprim në Komisionin e Mandateve, në mbrojtje të zëvendëses së vet në qeveri, të kërkuar për arrest nga SPAK.
Edhe në 2025-ën, ligjet u miratuan me procedura të përshpejtuara, Buxheti i Shtetit u miratua në 3 minuta pa konsultim real, pa respekt për opozitën dhe pothuajse përherë, edhe pa debat brenda vetë mazhorancës.

10. Urrejta e thellë fiziologjike e Ramës për opozitën dhe deputetët e saj

Në çdo demokraci në botë, opozita është shtyllë e domosdoshme e sistemit politik, zëri kritik që kontrollon pushtetin dhe mbron balancën institucionale. Në Shqipëri, nën qeverisjen e autokratit Rama, opozita, edhe gjatë vitit 2025, nuk u trajtuar si pjesë legjitime e demokracisë, por si armik për t’u asgjësuar politikisht.
Rama nuk e ka parë kurrë opozitën si kundërshtar politik me të cilin përballet në ide dhe programe. Për të, opozita është pengesë që duhet nënçmuar, izoluar dhe diskredituar. Ai e urren atë në mënyrë të plotë, visherale, me të gjitha poret e unit të vet. Gjuha përçmuese, ironia arrogante dhe sulmet personale ndaj deputetëve opozitarë janë kthyer në mjet të përditshëm komunikimi politik të tij.
Në vend të debatit, Rama zgjedh talljen. Në vend të argumentit, fyerjen. Në vend të përballjes parlamentare, delegjitimimin publik.

About Redaksia

Check Also

Drejtësia është në shesh!

Nga Luçiano BOÇI Pasi shqiptarët fituan lirinë, kërkuan drejtësinë. Ata e dinë saktë se liria …