Nga Luçiano BOÇI
Pasi shqiptarët fituan lirinë, kërkuan drejtësinë.
Ata e dinë saktë se liria pa drejtësi është vetëm një pushim i shkurtër mes dy padrejtësive, sikurse e dinë që liria të nxjerr nga errësira dhe burgu, ndërsa drejtësia të mbron nga rikthimi në errësirë e në burg.
Ishte kjo dije dhe instikt drejtësie që i bëri ata të besonin në një “reformë” me fjalë premtuese, por që u thye në besim që në nisjen vetinguese dhe refuzimit për të hetuar krimin zgjedhor e deri tek qëllimi për ta kthyer atë në gjuajtsen e kundërshtarëve politikë të pushtetit.
Struktura e prodhuar megjithatë, pak nga instikti e shumë nga mbështetja ndërkombëtare, integroi brenda vetes pjesë dhe njerëz që i referohen më shumë ligjit se pushtetit.
Është kjo arsyeja që ka ndërsyer sot Ramën kundër saj, për të mbrojtur me thonj korrupsionin e regjimin e ndërtuar mbi krim, farsë zgjedhore e abuzivizëm ekstrem financiar.
E në këtë moment kur kryeministri kërcënon hapur se do të vazhdojë “luftën” me drejtësinë, debati mbaron dhe skena ndryshon.
Drejtësia nuk mund të kërkohet më thjesht në sallat e gjykatave, as në komisione false.
Ajo gjendet në shesh.
Sepse kur pushteti ekzekutiv shpall luftë ndaj drejtësisë, ai pranon publikisht se e sheh ligjin si armik dhe jo si kufi.
Edi Rama ka shteruar së foluri si kryeministër. Flet si armik i qytetarëve, i drejtësisë dhe si kapo i një pushteti që refuzon kontrollin dhe e sheh pavarësinë e drejtësisë si kërcënim personal.
Pushteti i tij nuk po qeveris po mbron veten.
Reforma në drejtësi u premtua si çlirim nga politika, por sot po kërkohet që drejtësia të kthehet në instrument vasal të saj.
Dhe kjo është pika e vlimit qytetar.
Ka vetëm një rrugë. Drejtësia ose është e pavarur, ose nuk është fare.
Njerëzit nuk duan version “të bindur”, “të koordinuar”, “të disiplinuar”.
Pra ka vetëm drejtësi ose ka farsë.
Prandaj sot sheshi nuk është destabilizim. Është reagim. Është instinkti i fundit mbrojtës i një shoqërie që e kupton se kur kryeministri kërcënon drejtësinë, i ka ardhur radha i qytetarit. Sot rrëmbehet drejtësia e nesër me siguri dhe liria.
Drejtësia është në shesh, sepse pushteti e detyroi qytetarin ta kërkojë në shesh.
Dhe ajo nuk kthehet mbrapsht me kërcënime.
Ajo kthehet vetëm me protesta, vetëm me dorëheqje e ulje në bankën e të akuzuarve të pushtetarëve që nga frika e humbjes së privilegjeve e burgut kërkojnë ta pushkatojnë atë.
Qytetarë sot është dita!
Bashkohuni në Sheshin para Kryeministrisë ora 17.00.
Përmbysja e korrupsionit dhe mbrojtja e lirisë dhe e drejtësisë vjen vetëm me reagim!
Gazeta RD