Komisioni i Reformës Territoriale nisi punimet sot në orën 12:00 me dy bashkëkryetarët, Luçiano Boçi i PD dhe Arbjan Mazniku i PS.
PD kërkon garanci që produkti finali i ndarjes së re territoriale që do të prodhohet nga komisioni bipartizan të ishte një variant konsensual i dakordësuar nga të dyja palët.
Deputeti Boçi nënvizoi se kjo është bazë politike e rëndësishme përpara se të vijojë punimet komisioni, duke kërkuar garanci nga maxhoranca e cila vijon e bën një sy qorr e një vesh shurdh ndaj kërkesave të opozitës. E fundit është shtyrja në kalenda greke e mbledhjes së këshillit të mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit zv/kryeministres Belinda Balluku për ti hapur rrugë arrestimit të saj.
“Duhet të ecim me produkt të përbashkët. Nëse ecim me idenë çfarëdo që themi ne nuk konsiderohet dhe nuk merret si pjesë e vendimmarrjes apo pjesë e propozimeve që faktohen në raportin final atëherë ne jemi në një rrugëtim krejtësisht hipokrit dhe jo formal. E ne nuk kemi siguri për këtë. Pasi në shumë momente pikante, ka bërë vesh të shurdhër e syrin qorr si në këshillin e mandateve.
Ne duhet të vendosim standardin parlamentar e politik të një komisioni në paritet. Duhet të kemi një produkt konsensual të dakordësuar nga të dyja palët. Nëse nuk do të ketë produkt konsensual atëherë është mungesë e gadishmërisë tuaj apo tonat për të pranuar variantet. Por variant duhet të jetë i infuzionuar, të mos jetë variant me ngjyrën e partisë tuaj apo variant me ngjyrën blu të partisë tonë. Të vendosim këtë bazë politike të rëndësishme e të vijojmë punën”, tha Boçi.
Gazeta RD