Deputeti i PD, Luçiano Boçi, në një prononcim për mediat tha se, opozita ka arritur një dakordësi të gjerë për bashkëpunim dhe unifikim qëndrimesh, me synimin për të çuar përpara aksionin politik dhe protestues drejt krijimit të një qeverie kujdestare.
Pas tryezës së forumit për dialogun e opozitës, Boçi theksoi se ekziston një domosdoshmëri për harmonizim më të thellë mes forcave opozitare, pasi parlamenti prej kohësh ka dalë nga roli i tij kushtetues, duke u vendosur në funksion të ekzekutivit.
Ai nënvizoi gjithashtu se opozita është e vendosur të mbështesë veprimet e drejta hetimore ndaj përfaqësuesve të qeverisë dhe të intensifikojë rrugën protestuese.
Sipas Boçit, Shqipëria ndodhet në një moment kyç, ku mendimi intelektual po merr rol udhëheqës mbi politikën tradicionale, duke orientuar edhe aksionin e opozitës në funksion të kërkesave të qytetarëve.
Deklarata e plotë:
“Kemi dakordësuar qëndrimet tona, kemi marrë besim dhe kemi dhënë besim në këtë tryezë të parë që do vazhdojë me tryeza të tjera dhe e rëndësishme është që unë shoh gatishmëri bashkëpunimi për të çuar përpara të gjitha ato qëndrime që Ermali i listoi që dhe duhen pasuruar sepse edhe nga çështjet e ngritura dhe nga qëndrimet që morëm, shihet që ka një domosdoshmëri kontakti, bisedimi, unifikimi, që është shumë i rëndësishëm, për qëndrime që ndërtojnë rrugën e besimit që opozita duhet të ketë sot me qytetarët.
Qoftë dhe me parti politike sigurisht, qoftë për Kodin Zgjedhor, qoftë edhe për reformën territoriale. Pati shumë kërkesa jo vetëm nga partitë, edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile. Qoftë edhe për mënyrën e ndërtimit të protestës, në frekuencë apo në interpretim të saj.
Dhe e rëndësishme është që jemi bashkë për të realizuar këtë rrugë protestuese për qëllimin e arritjes së një qeverie kujdestare, e cila ndërton rrugën e mirë dhe rrugën e vërtetë të dy reformave kryesore, zgjedhore dhe territoriale dhe patjetër që jemi të angazhuar në atë, le të themi, mbrojtje që i bëjmë veprimeve të drejta hetimore dhe të drejtësisë ndaj, sot, përfaqësuesve të qeverisë.
Jemi në unison për rolin dhe funksionin që e thatë ju që duhet të luajë sot parlamenti, po nuk ka dalë sot parlamenti nga shinat, ka kohë që ka dalë, ka kohë që është në sqetullën e ekzekutivit dhe nuk performon rolin e tij.
Sot është më i zbuluar në aktin e mosmbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Rregullores. Dhe patjetër që në takimet e tjera, qëndrimet tona do jenë akoma më të harmonizuara, duke shtuar dhe aktorë të tjerë, që Ermali e tha shumë mirë.
Dhe unë po e përsëris, qëllimi është i njëjtë. Por duhet të unifikojmë dhe rrugën. Mjafton qëllimi është i duhur dhe besoj që diferencat e vogla në rrugën e kërkuar unë them që nuk kanë atë rolin e tyre pengues, madje për ne janë motivuese, sepse sjellin edhe diversitet mendimesh dhe qëndrimesh.
Unë shoh një gjë shumë të rëndësishme që e thashë edhe në takim, Shqipëria ka arritur në një moment kyç, ku mendimi intelektual sot prevalon mbi mendimin politik dhe është ai që po ndërton fabulën e jetës politike.
Ky është momenti më i mirë dhe këtë duhet ta përcjellim mirë tek qytetarët, që partitë politike sot nuk janë ata ose ato që vendosin gjithçka, por orientohen nga një mendim intelektual, i nënshtrohen këtij mendimi intelektual që vjen si pasqyrim i asaj kërkese që sot qytetarët e kanë, e shprehin në forma dhe mënyra të ndryshme, qytetarët e shtresave dhe të moshave të ndryshme, se partitë politike në aktivitetin e tyre janë më abrazive, ndërsa mendimi intelektual është më elitar, më tërheqës edhe them që e bind më kollaj edhe e fiton më shpejt besimin e qytetarëve dhe sot opozita është shumë e ndërgjegjshme që duhet të shkrihet dhe të harmonizohet me këtë mendim intelektual që ka autoritetin dhe autonominë e tij, por që është pjesë shumë e rëndësishme e aksionit politik të opozitës”.
Gazeta RD