Protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë bërë jehonë edhe në mediat italiane, të cilat raportojnë për përshkallëzimin e tensioneve në Tiranë dhe ndikimin që korrupsioni në kabinetin qeveritar mund të ketë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Revista italiane, L’ESPRESSO thekson se tensionet janë krijuar nga skandali “Balluku”, të cilën Rama nuk do ta dorëzojë te drejtësia, ndërsa thekson se kjo situatë rrezikon të dëmtojë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Artikulli e rendit Shqipërinë ndër vendet me perceptimin më të lartë të korrupsionit në Evropë, një faktor që sipas tij mund të ndikojë drejtpërdrejt në procesin e integrimit në BE.
Artikulli i L’ESPRESSO:
Një protestë ka tronditur rrugët e Tiranës. Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protesta, e cila ka degjeneruar në përleshje me policinë, ndodh në një klimë të fortë kundërshtimi pas skandalit të korrupsionit që shpërtheu në dhjetor 2025, dhe që përfshin disa figura të qeverisë.
Pas ndërhyrjes së liderit të opozitës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, një pjesë e demonstruesve hodhën fishekzjarre dhe dhjetëra molotov ndaj godinës së qeverisë, duke shkaktuar zjarre në zonë. Forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë. Sipas informacionit të parë, ka të lënduar si midis demonstruesve, ashtu edhe midis agjentëve.
Në mobilizim morën pjesë mijëra persona. Për të garantuar rendin publik, ishin vendosur mbi 1,300 policë. Kjo është protesta e tretë e këtij lloji që nga fillimi i skandalit. Edhe në rastet e mëparshme kanë ndodhur momente të tensionit të lartë.
Në qendër të protestave është hetimi mbi zv/kryeministren Belinda Balluku, anëtare e Partisë Socialiste, po ashtu si Rama. Në dhjetor, prokuroria e akuzoi atë se kishte përdorur fonde publike për të favorizuar disa kompani në dhënien e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.
Përveç Ballukut, janë nën hetim edhe drejtues të tjerë publikë dhe kompani private të përfshira në të njëjtat operacione. Zv/kryeministrja ka mohuar akuzat. Megjithatë, ditët e fundit, prokuroria ka kërkuar nga parlamenti me një dhomë dhe me shumicë socialiste heqjen e imunitetit të saj parlamentar. Kërkesa nuk është futur ende në kalendarin e punimeve të Kuvendit.
Sipas Transparency International, Shqipëria është ndër vendet evropiane me nivelin më të lartë të perceptuar të korrupsionit. Një problem që ndikonte edhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një objektiv që Shqipëria e ndjek prej vitesh dhe synon ta arrijë deri në vitin 2027.
Gazeta RD