Rrjeti i shpifësve të Lalit dhe Ramës/ PD: Arrestohet Elio Laze, goditet struktura që sulmonte opozitën dhe shantazhoi Belind Këlliçin

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë

Një rrjet shantazhuesish dhe gjobvënësish, që pozojnë si gazetarë dhe drejtojnë portale nën urdhrat dhe me paratë e qeverisë dhe krimit të organizuar, ka marrë një goditje të merituar sot. Pas një operacioni ku janë përfshirë disa institucione ligjzbatuese, Elio Laze, drejtuesi i një portali që përdorej si mjet shantazhi publik ndaj kundërshtarëve të qeverisë dhe Erion Veliajt, ka rënë në prangat e policisë.

Laze, në shërbim të kryebashkiakut të arrestuar dhe një rrjeti ‘të fortësh’ mediatikë, të lidhur me të, që e bëjnë natën ditë e ditën natë, vetëm për të mbrojtur sponsorët e tyre, herë Edin e herë Lalin, ishte i angazhuar prej 2 vitesh në shantazhe, shpifje e linçim ndaj deputetit demokrat Belind Këlliçi dhe një ish-anëtari të Këshillit Kombëtar të PD.

Partia Demokratike përshëndet çdo veprim të ligjit që shkon kundër mashave të krimit të organizuar, të lidhura me qarqet e pushtetit.

Ne dënojmë me forcë çdo akt kërcënimi që ka shoqëruar arrestimin e gjobaxhiut në fjalë nga elementë të lidhur me Hakmarrjen për Drejtësi, që kërkojnë të hakmerren dhe t’i bëjnë presion policisë për një arrest të kryer mbi prova të siguruara në mënyrë operative.

Një rrjet portalesh me emra të çuditshëm, që shpjegojnë edhe pronarët dhe qëllimet e tyre, kanë formuar një orkestër sulmi kundër deputetit Këlliçi dhe ish-anëtarëve apo zyrtarëve tanë.

Çdo sulm, çdo shantazh, çdo shkelje e ligjit, të shënohet dhe do të marrë përgjigjen sipas të gjitha prerogativave që lejon ligji.

Partia Demokratike u kërkon gazetarëve profesionistë të distancohen nga personazhe që fyejnë emrin e tyre dhe të profesionit, dhe të rreshtohen me raportimin e së vërtetës, edhe kur ajo dëmton pushtetin.

About Redaksia

Check Also

Dy opinionistët nga Kosova rrihen tek studio e Fevziut

Debati për gjyqin e çlirimtarëve në Hagë ka ndezur debatet në studion e emisionit “Opinion” …