Vijon të rritet çmimi i qirave, një çati mbi kokë kthehet në luks për shqiptarët

Inflacioni në vend arriti në 2,3% në janar 2026, nga 1,9% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Krahasuar me dhjetorin 2025, çmimet e konsumit u rritën me 0,4%. Të dhënat janë publikuar nga INSTAT më 12 shkurt dhe tregojnë se presioni kryesor mbi koston e jetesës vijon të vijë nga qiratë dhe shpenzimet e lidhura me banesën, një tendencë që ka nisur që në tremujorin e fundit të vitit 2025.

Në Tiranë, rritja e qirave po lidhet me zgjerimin e qiradhënies ditore në platforma online, ndërsa një pjesë e apartamenteve mbahen stok për qëllime investimi, me pritjen për t’u rikthyer në treg me çmime më të larta.

Sipas INSTAT, ndikimin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve e dha grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me +0,87 pikë përqindje, i ndjekur nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,61 pikë përqindje.

 

Kontribut pozitiv dhanë edhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” si dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” me nga +0,14 pikë përqindje secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,13 pikë përqindje dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me +0,11 pikë përqindje. Ndikime më të vogla erdhën nga “Argëtim, sport dhe kulturë” me +0,09 pikë përqindje, “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0,07 pikë përqindje, “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje dhe “Transporti” me +0,03 pikë përqindje.

Në terma përqindjeje, rritjen më të lartë vjetore e shënoi grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4,9%. Pas tij renditen “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” me nga 4,4% secili. “Pije alkoolike dhe duhan” u rritën me 2,7%, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2,6%, “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 2,4%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,0%, “Shërbimi arsimor” me 1,9% dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,8%.

Në krahasim me dhjetorin 2025, rritja mujore më e madhe u regjistrua në grupin “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,2%, e ndjekur nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7% dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 0,6%. Nga ana tjetër, “Veshje dhe këpucë” shënuan ulje me 0,5%, ndërsa “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” ranë me 0,4% në terma mujorë. Ulje të lehtë pati edhe grupi “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 0,1%.

Të dhënat tregojnë se megjithëse norma e përgjithshme e inflacionit mbetet e moderuar, pesha e qirave në indeks vazhdon të jetë faktori kryesor që ndikon mbi buxhetet familjare, veçanërisht në kryeqytet. /Skyweb

About Redaksia

Check Also

Mediu: Kosova sot po përballet me një sulm të organizuar nga Vuçiç dhe Rusia

Kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu ka kërkuar që parlamenti i Shqipërisë të mbështesë …