Nga Alba KEPI
Dorëheqja e Sekretarit të Përgjithshëm të qeverisë shqiptare nuk është thjesht një akt administrativ. Në politikë, sidomos në nivele të larta të ekzekutivit, asgjë nuk është rastësi. Pyetja thelbësore nuk është “pse u largua?”, por “kë po mbron kjo dorëheqje?”.
Në praktikën politike shqiptare, dorëheqjet shpesh shërbejnë si valvul shkarkimi. Kur presioni publik rritet, kur skandalet kërcënojnë të prekin majën e piramidës, dikush duhet të marrë përgjegjësinë ose të paktën ta mbajë atë përkohësisht. Sekretari i Përgjithshëm, si hallkë kyçe mes administratës dhe vendimmarrjes politike, është figurë e rëndësishme, por jo politike në kuptimin elektoral. Kjo e bën atë “sakrificë të pranueshme”.
Nëse dorëheqja erdhi në kulmin e debatit për afera apo akuza publike, atëherë ajo mund të lexohet si përpjekje për të mbrojtur qeverinë nga zgjerimi i krizës. Në politikë funksionon një logjikë e njohur: izolo problemin, kufizo dëmin, shpëto strukturën. Pyetja mbetet a mjafton një largim për të rikthyer besimin?
Sekretari i Përgjithshëm nuk është figurë periferike. Ai është nyja administrative ku kalojnë vendime, procedura, dokumente dhe koordinime. Nëse ka pasur shkelje, neglizhencë apo afera, ato nuk lindin në vakum. Ato janë produkt i një kulture qeverisëse që ose i toleron, ose i mbulon, ose i përdor.
Prandaj pyetja nuk është thjesht pse u largua. Pyetja është:
A po mbyllet një kapitull, apo po fshihet një gjurmë?
Qeveritë bien jo kur ndodh një skandal, por kur publiku bindet se e vërteta po fshihet. Dhe çdo dorëheqje e paplotë me shpjegime krijon pikërisht atë dyshim.
E kjo nuk është histori për një zyrtar. Është provë për kulturën e llogaridhënies në vend.
Nëse një dorëheqje përdoret si mburojë për të shpëtuar majën e pushtetit, atëherë problemi nuk është individi është modeli i qeverisjes.
Gazeta RD