Ndotja e ajrit dhe zhurmat urbane, rreziqet kryesore për shëndetin në Tiranë

Ndotja e ajrit dhe zhurmat urbane mbeten ndër rreziqet kryesore mjedisore për shëndetin publik. Të dhënat nga raporti i Komisionit Evropian mbi cilësinë e jetës në qytetet evropiane tregojnë se ndotja atmosferike vazhdon të jetë faktori më i madh mjedisor që ndikon në sëmundshmëri dhe vdekje të parakohshme në Evropë. Përkrah saj, ekspozimi afatgjatë ndaj zhurmës lidhet me probleme serioze kardiovaskulare dhe çrregullime të gjumit.

Shqipëria dhe veçanërisht Tirana renditen mes qyteteve me nivel më të ulët kënaqësie, si për cilësinë e ajrit, ashtu edhe për zhurmat, duke reflektuar sfida strukturore të zhvillimit urban dhe menaxhimit mjedisor.

Kënaqësia me cilësinë e ajrit: Shqipëria nën mesataren evropiane

Sipas raportit, rreth 95% e popullsisë urbane në Bashkimin Evropian është e ekspozuar ndaj niveleve të grimcave të imta (PM2.5) mbi kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërsa në vitin 2020 kjo ekspozim u lidh me rreth 275 mijë vdekje të parakohshme, sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Mjedisit.

Në këtë kontekst, kënaqësia e qytetarëve me cilësinë e ajrit ndryshon ndjeshëm sipas rajoneve. Në vendet e Evropës Jugore dhe Lindore, vetëm rreth gjysma e banorëve shprehen të kënaqur, përkatësisht 48% dhe 54%, kundrejt një mesatareje evropiane prej 60%.

Për grupin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, mesatarja bie ndjeshëm në rreth 33%. Kjo e vendos vendin në një pozicion më problematik krahasuar me shumicën e vendeve të BE-së. Në qytetet e mëdha dhe veçanërisht në kryeqytete, pakënaqësia është edhe më e theksuar. Vetëm 56% e banorëve të kryeqyteteve janë të kënaqur me ajrin, kundrejt 64% në qytetet jokryeqytet.

Për Tiranën, këto të dhëna nënkuptojnë një perceptim të ulët të cilësisë së ajrit, i lidhur me trafikun e dendur, ndërtimet intensive dhe hapësirat e kufizuara të gjelbra. Krahasuar me qytetet e vogla evropiane me më pak se 250 mijë banorë, ku 72% e qytetarëve janë të kënaqur, Tirana dhe metropole të ngjashme mbeten shumë pas.

Zhurmat urbane: Tirana mes qyteteve më të pakënaqura

Përveç ndotjes së ajrit, raporti evidenton edhe ndikimin serioz të ndotjes akustike në shëndetin publik. Çdo vit, zhurmat shkaktojnë mbi 11 mijë vdekje të parakohshme në Evropë dhe prekin miliona qytetarë me shqetësime të vazhdueshme.

Mesatarisht, 63% e banorëve evropianë janë të kënaqur me nivelin e zhurmës në qytetin e tyre. Por edhe këtu, vendet e Evropës Jugore, Lindore dhe Ballkanit Perëndimor shfaqin rezultate më të dobëta. Në këtë grup, vetëm 46% e banorëve shprehen të kënaqur.

Tirana renditet mes qyteteve me performancën më të ulët, me vetëm 36% të qytetarëve të kënaqur me nivelin e zhurmës. Ajo pozicionohet pranë qyteteve si Bukureshti, Palermo, Stambolli dhe Athina, të cilat dominojnë listën e dhjetë qyteteve me rezultatet më të dobëta.

Në kontrast të fortë qëndrojnë qytetet e Evropës Veriore, si Oulu në Finlandë, ku 87% e banorëve janë të kënaqur me qetësinë urbane, apo Dublini, Malmö dhe Helsinkit, me mbi 80%. Këto dallime pasqyrojnë politika urbane më të avancuara në planifikimin e trafikut, transportit publik dhe mbrojtjes së hapësirave të banimit.

Pabarazi sociale dhe ndikimi te grupet vulnerabël

Raporti thekson se ndotja e ajrit dhe zhurmat nuk prekin njësoj të gjithë qytetarët. Të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve. Po ashtu, grupet me të ardhura të ulëta dhe nivel më të ulët arsimor shpesh jetojnë në zona më të ndotura dhe më të zhurmshme.

Në Shqipëri, kjo përkthehet në një barrë shtesë për shtresat më të brishta sociale, duke e lidhur cilësinë mjedisore drejtpërdrejt me pabarazitë ekonomike dhe sociale./ekofin.al

About Redaksia

Check Also

Tabaku: Statusi i Minatorit, domosdoshmëri! 11 mijë punëtorë meritojnë pension dinjitoz dhe mbrojtje

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka rikthyer në vëmendje nismën për “Statusin e Minatorit”, një …