Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se, diktaturat nuk rrëzohen me votë, por vetëm me revoltën qytetare, duke shtuar se Edi Rama shkon në Uashington si hajdut dhe kthehet si hajdut.
Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se çdo regjim totalitar ose autoritar ka rënë përmes protestave dhe revoltave qytetare, duke përmendur shembuj nga Bangladeshi, Nepali dhe Sri Lanka.
…Ama zoti Berisha, asnjë qeveria gjer më sot nuk është rrëzuar me protesta. Pra ju besoni vërtet se do ta rrëzoni Edi Ramën përmes protestave?
Sali Berisha: Në fakt që të gjitha diktaturat, qoftë totalitare, qofshin autoritare, kanë rënë vetëm me protesta.
Kanë rënë diktaturat në Bangladesh, në Nepal, në Sri Lanka dhe një seri vendesh.
Diktaturat nuk rrëzohen me votë, por rrëzohen vetëm me revoltën qytetare.
Revoltat janë të dhunshme, të padhunshme.
Ne jemi të përcaktuar për kryengritje paqësore, të bindur se do realizojmë fitoren.
A e patë ju se si i nxorën kartonin e zi në Mynih?
A e patë? A e dini ju që kishte dërguar gjysmën e ekipit?
Lexoni pak shkrimin e Baton Haxhiut nga Mynihu, ku thoshte se këtu po pritet me padurim lideri global për të dhënë idetë e tij, për të mbajtur fjalimin e tij.
Por dikush pas këtij shkrimi ia fiku kandilit Edi Ramës dhe i tha se ti në Mynih nuk mund të shkelësh.
Pse e tek, e merrni vesh vetë, se është kuptuar se është një hajdut i paskrupullt që kërkon të mbrojë vjedhjet e tij.
Se sa për Lubinë, do t’i shkrinte plumb në vesh në mesnatë, ose vaj të djegur si në tragjedinë e Makbethit, do i hidhte vaj të djegur në vesh për ndjenjat që ka.
Por ai ka hallin e vet.
Kjo është e vërteta.
Zoti Berisha, ju thoni se Edi Rama nuk shkoi në Berlin, por ama nga ana tjetër, zoti Rama ka deklaruar ditën e djeshme se do të udhëtojë drejt Uashingtonit…
Sali Berisha: Në Uashington është takimi i Bordit të Paqes ku Shqipëria është anëtare.
Pra, në Uashington shkon Shqipëria si anëtare bordi.
Tani është si të thuash pse shkoi në OKB. OKB është organizatë ndërkombëtare.
Edhe kjo është një organizatë e konceptuar në ngjashmëri me OKB-në.
Dhe aty do të shkojë, po kjo nuk do të thotë se bëhet më pak hajdut.
Përkundrazi shkon hajdut, kthehet hajdut dhe e pret populli opozitar.
Gazeta RD