Kryetari i PD, Sali Berisha, në deklaratën për mediat u shpreh se, partnerët ndërkombëtarë kanë marrë një qëndrim të prerë ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi atij i është nxjerrë karton i kuq nga zyrtarë të lartë europianë.
Berisha tha se, reagimi i Brukselit ka qenë i menjëhershëm dhe i fortë pas qëndrimeve të Ramës për çështjet e drejtësisë dhe mbrojtjen e anëtarëve të kabinetit të tij.
Kreu i opozitës theksoi se, ndërkombëtarët nuk tolerojnë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe se, sipas tij, sinjalet e dhëna në takimet e fundit dhe në forume ndërkombëtare tregojnë mbështetje për opozitën shqiptare.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Përtej paralajmërimeve që vijnë nga Brukseli, për atë që ju e denoncuat deri për pezullimin e procesit të negociatave, Edi Rama doli sot prap në mbrojtje të Ballukut, duke thënë se ka refuzuar 3 herë dorëheqjen e saj dhe duke ndryshuar edhe ligjin për të mbrojtur veten dhe kabinetin e tij, nga pezullimet.
Ju keni thënë se opozita do të përgjigjet me protesta. Po nga faktori ndërkombëtar, prisni ndonjë reagim dhe a keni ndonjë thirrje për partnerët për të reaguar për situatën në Shqipëri?
Sali Berisha: U jemi shumë mirënjohës partnerëve të cilët të befasuar nga qëndrimi i Edi Ramës, de fakto një vetëakuzë e plotë për veten e tij, bën një reagim të shpejtë dhe të fuqishëm.
Nuk mund të kishte reagim më emergjent dhe të fuqishëm, se sa Edi Rama të thirrej nga numri 1 i BE-së dhe t’i nxirrej kartoni i kuq. Nuk mund të kishte qëndrim më të prerë, se sa mëngjesi, takimi me ambasadorët e vendeve kryesore, ku në fakt nuk u la të dërdëlliste. E them haptas këtu. Unë nuk mund të bëhem zëdhënësi i takimeve, por mund t’ju them që nuk e lanë të dërdëlliste.
I thanë të kemi thirrur për këto e këto. I thashë se, nuk tolerojmë në mënyrë absolute asnjë ndërhyrje, ky është mesazhi i Brukselit, në çështjet e drejtësisë, asnjë pengesë.
Së dyti, shkarkoje menjëherë Lubinë dhe nuk të pranojmë shkarkimin e saj me rikompozim të qeverisë. Jo. Ajo do të largohet si delinkuente, si një njeri që ka kryer krime.
E treta. Dyert e Mynihut, konferencës më kryesore në botë, ia përplasën në surrat.
Merrni lexoni editorialin e publikuar një ditë para konferencës së Mynihut, nga Baton Haxhia. Baton Haxhia, i cili është zëdhënësi shpirtëror i Edi Ramës, një ditë para konferencës publikoi editorialin se me sa interes pritet në konferencë e sigurisë, lideri, sharlatani global, Edi Rama. Se çfarë takimesh imagjinare do të kishte Edi Rama, me nënkuptim dhe me sa interes do të dëgjoheshin dokrrat e tij.
Kjo është e shkrojtur nga zëdhënësi kryesor i Edi Ramës në një editorial. Lexojeni, nëse ai e ka hequr nga faqja e portalit të tij, ju lutem njoftoni zyrën e shtypit t’ua dërgojë që ta keni parasysh.
Mirëpo, çfarë ndodhi. Këtu ishin bërë të gjitha përgatitjet, vetëm sa nuk thoshte ua tregoj unë këtyre tani, të shohin këta çdo heqin nga Mynihu.
Të nesërmen, i gjithë stafi mori një mesazh: Anulohet vizita, anulohet fjalimi, anulohen të gjitha. Sepse njeriun që mbron vjedhjet e tij nuk e pret kush më.
Nuk ka si të mos jemi më të kënaqur nga partnerët tanë. Kjo është një mbështetje shumë e madhe dhe unë mund të ju them shkojnë pak më tutje. Dhe ju lutem, bëni një check up edhe ju.
Mediat më të mëdha në botë e kanë dhënë revoltën, kryengritjen paqësore të 10 shkurtit, ju garantoj në hapësirë kohe, 3 fishin e mediave të kontrolluara nga qeveria.
Merrni pak televizionin gjerman, se çfarë komenti dashamirës, mirëkuptim të plotë i bën protestës në 10 minuta emision.
Merrni Fox News, në lajme kryesore me një shkrim të gjatë, shoqëron kryengritjen paqësore të opozitës.
Merrni EuroNews, edhe 3 ditë pas jepte ‘No Comentin’ më të gjatë, pasi kishte dhënë të gjitha lajmet.
Pra, unë mund të them se, opinionin publik ndërkombëtar dhe zyrtar është totalisht në mbështetje të opozitës shqiptare, në mbështetje të qytetarëve shqiptarë dhe kundër kreut të organizatës kriminale dhe organizatës së tij, Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Ndaj dhe duhet të japë dorëheqjen menjëherë, duhet të japë dorëheqjen menjëherë!
Gazeta RD