Eda Grimçi: Nuk na ndal propaganda, blindat apo gazi! Më 20 shkurt do të jem në protestë me fëmijët e mi!

Mbështetës të Partisë Demokratike u mblodhën sërish sot në foltoren para kryeministrisë për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Eda Grimçi, kryetarja e degës nr. 9 të PD në Tiranë u ndal tek protestën 10 shkurtit, duke thënë se ‘mercenarët e propagandës” u trembën jo nga zhurma e protestës, por “nga ndërgjegjja e zgjuar” e qytetarëve dhe sidomos e të rinjve.

Janë pikërisht ata që “ua boshatisën klasat, ua zbrazën qytetet dhe ua mbytën ëndrrat” të rinjve, të cilët tani guxojnë t’i akuzojnë se përdorin fëmijët.

Fjala në foltore

Mercenarët e propagandës që shfryjnë helm nëpër studio, deri te patronazhisti më i ulët. Këta janë prekur shumë, sepse kishte adoleshentë në protestë. Pikërisht këta, guxojnë të thonë se ne përdorim adoleshentët. Dhe kush? Këta që shpopulluan këtë vend, këta që detyruan mijëra të rinj të largohen, këta që e mbytën Shqipërinë me drogë dhe e lanë rininë pa shpresë. Këta na bëjnë moral neve.

Miq, unë sot këtu nuk jam vetëm si pjesë e një force politike. Unë këtu sot jam edhe si qytetare, edhe si nënë që nuk pranon të poshtërohet. Jam si nënë që nuk pranon t’i dorëzojë fëmijët një regjimi që na do të bindur, na do të varfër, na do të frikësuar. Por këtë herë, ishin ata që u trembën nga protesta jonë, jo nga zhurma, po nga ndërgjegja juaj që u zgjua. U trembën nga të rinjtë tanë, sepse ata e dinë më mirë se kushdo, që kur rinia çohet, pushteti i korruptuar fillon të bjerrë.

Na akuzojnë se ne përdorim fëmijë, dhe kush? Këta që fëmijët i përdorin për statistika, që i përdorin për propagandë, këta që fëmijët i përdorin si dekor nëpër fushata, këta që ua boshatisën klasat, ua zbrazën qytetet, ua mbytën ëndrrat.

Po ju që i detyruat të ikni nga ky vend, ju që i detyruat të punojnë në kushte çnjerëzore, në landfille e inceneratorë që nuk ekzistojnë.

A e harruat Ardit Gjoklën dhe landfillin që e përgjakët me gjakun e tij? Dhe sot, ju keni guxim të na flisni për moral. Kush? Ju që arrestoni fëmijët 12 vjeçarë, ju që godisni gra në protesta, ju që përdorni uniformën për të mbrojtur pushtetin e për të goditur qytetarin. Kujtoni se do na trembni me burg? Do na trembni me gaz? Do na trembni e do na shantazhoni me vende pune, me gjoba, me kërcënime? Ju gaboni rëndë. Ju nuk na njihni. Ju mendoni se na njihni, po ju nuk i njihni demokratët. Ju nuk i njihni nënat demokrate. Ju nuk i njihni baballarët demokratë. Sepse një nënë që del në shesh për fëmijët e saj nuk ka asgjë që e ndal. Një prind që proteston për të ardhmen e fëmijëve nuk frikësohet nga shantazhi juaj.

Në 20 shkurt, unë do të jem në protestë, bashkë me fëmijët e mi. Jo për dekor, as për spektakël, as për provokim, por e kam obligim si nënë, si qytetare. Është obligim i çdo shqiptari, sepse Shqipëria na thërret në këtë moment. Unë nuk dua që nesër fëmijët e mi të më pyesin e të më thonë, ku ishe ti kur na vidhni të ardhmen? Unë dua t’u them atyre që unë isha aty, isha në shesh dhe protestoja në anën e të drejtës, në anën e të ardhmes së tyre. Ama një gjë, ta dinë mirë këta që po na dëgjojnë.

As propaganda, as blindat, as gazi, as burgjet nuk do na ndalin në 20 shkurt. Sepse pushteti që ju mbani me frikë bie vetëm nga reagimi. Sepse forca jonë lind nga dashuria. Pushteti juaj mbahet nga frika.

Në 20 shkurt, si 35 vite më parë kur u rrëzua diktatura, ju prapë do të na gjeni aty, si një dezhà vu e pashmangshme për çdo regjim. Si një kujtesë se pushtetet që ngrihen mbi frikën bien vetëm nga zemërimi, se historia nuk përsëritet rastësisht, ajo rikthehet kur arroganca bëhet regjim.

About Redaksia

Check Also

Ku jemi këto 100 ditë në drejtimin e Bashkisë Vlorë nga kryetarja jolegjitime?

Nga Rezenbrik SERJANI ADMINISTRATA E 9 NËNTORIT, KRYESUAR NGA KRYETARJA JOLEGJITIME e Bashkisë Vlorë, BËN …