Manifest ideor i të djathtës shqiptare (vazhdim)

Nga Nikola KEDHI

IIC. Shteti i së Drejtës: Ligji si kufi i pushtetit, jo si mjet i tij

Në një kohë kur kryeministri ndërron ligjet për të mbrojtur veten nga drejtësia, kjo pjesë dhe vizioni ynë për shtetin e të drejtës bëhet më aktual se kurrë.

Nëse prona është forma konkrete e lirisë, ligji është kufiri konkret i pushtetit. Pa këtë kufi, çdo parim që kemi artikuluar deri tani në këtë Manifest mbetet aspiratë morale, jo rend politik. Sepse liria e individit, forca e familjes, funksionimi i tregut dhe dinjiteti i pronës varen nga një kusht themelor: që pushteti të mos jetë arbitrar.

Në Shqipëri problemi ynë nuk është mungesa e ligjeve. Problemi ynë është mungesa e kufijve. Ne kemi ligje të shumta, kode, rregullore, reforma të pafundme, por nuk kemi siguri juridike. Kur ligji nuk është i parashikueshëm, ai pushon së qeni mbrojtje dhe kthehet në mjet. Në vend që të kufizojë pushtetin, e zgjeron atë, sic ka ndodhur në Shqipëri këto vite.

Shteti i së drejtës nuk do të thotë thjesht ekzistencë institucionesh. Do të thotë që ligji zbatohet njësoj për të gjithë, se pushteti njeh kufijtë e vet dhe se qytetari e di paraprakisht se çfarë pasoje ka veprimi i tij.

Parashikueshmëria është forma më e lartë e drejtësisë praktike. Ajo krijon besim, investim, qëndrueshmëri. Kur rregullat ndryshojnë sipas interesit të momentit, kur ligji interpretohet sipas nevojës së pushtetit, atëherë edhe qytetari më i ndershëm e sheh sistemin si të huaj.

Shoqëria e Tërheqjes lind pikërisht këtu. Ajo lind kur qytetari kupton se përpjekja nuk shpërblehet dhe padrejtësia nuk ndëshkohet. Kur sheh se ligji është i fortë ndaj të dobëtit dhe i butë ndaj të fortit. Kur kupton se procedura zgjatet për këdo që nuk ka lidhje, dhe përshpejtohet për këdo që ka akses. Në këtë pikë, angazhimi bëhet i pakuptimtë dhe tërheqja bëhet racionale.

E djathta shqiptare duhet ta thotë qartë: drejtësia nuk është projekt ndërkombëtar, as fushë eksperimentesh politike. Është themeli i rendit të brendshëm, i cili buron nga brenda shoqërisë. Nuk mund të imponohet nga jashtë. Pa të, asnjë reformë ekonomike nuk qëndron. Asnjë investim serioz nuk vjen. Asnjë familje nuk vendos të qëndrojë në një vend ku e drejta është e negociueshme.

Ligji duhet të jetë kufi ndaj pushtetit, jo mjet i tij. Kjo nënkupton disa parime të panegociueshme, të cilat ne si shoqëri duhet t’i kërkojmë, por dhe të luftojmë për to, veçanërisht në kushtet ku ndodhet Shqipëria. Sot drejtësia është me disa standarde. Qeveria bën përpjekje të mbroje Kryeministrin e kabinetin qeveritar, ndërkohë për qytetarin nuk ka as siguri juridike, as bëhet drejtësi.

Së pari, barazia para ligjit nuk është slogan moral, por kriter funksionimi. Në momentin që qytetari percepton se ka dy standarde, ai pushon së respektuari sistemin. Respekti nuk imponohet me frikë; ai fitohet me drejtësi të barabartë.

Së dyti, ndarja reale e pushteteve është kusht për lirinë. Kur ekzekutivi dominon legjislativin dhe influencon drejtësinë, krijohet një qark i mbyllur pushteti që vetëmbrohet. Shteti i së drejtës kërkon institucione që kontrollojnë njëra-tjetrën, jo institucione që justifikojnë njëra-tjetrën.

Së treti, lufta ndaj krimit të organizuar nuk është thjesht çështje sigurie, por çështje sovraniteti. Kur struktura kriminale depërton në ekonomi, në administratë dhe në politikë, ligji humbet autoritetin dhe shteti humbet dinjitetin. Krimi i organizuar nuk është vetëm problem penal; është kërcënim ndaj rendit kushtetues. Një shtet që toleron këtë depërtim, gradualisht e zëvendëson ligjin me marrëveshje informale dhe frikë.

Së katërti, drejtësia duhet të jetë e shpejtë, e thjeshtë dhe e kuptueshme. Drejtësia që zvarritet bëhet padrejtësi. Procedura që zgjat me vite shndërrohet në dënim pa vendim. Një sistem i tillë e lodh qytetarin derisa ai heq dorë. Dhe kur qytetari heq dorë nga e drejta e vet, pushteti fiton pa pasur nevojë të shtypë.

Këto shtylla do duhet të jenë në themel të Republikës kur e djathta të vijë në pushtet, së bashku me lirinë e individit, familjen, ekonominë e tregut, pronën.

Autoriteti legjitim nuk ndërtohet me deklarata, por me konsistencë. Kur shteti mban fjalën, kur vendimet e gjykatave zbatohen, kur administrata sillet sipas rregullit dhe jo sipas urdhrit verbal, atëherë lind respekti. Dhe respekti është forma më e qëndrueshme e forcës shtetërore.

Një shtet i fortë nuk është ai që ndëshkon më shumë, por ai që ka nevojë të ndëshkojë më pak, sepse rregullat janë të qarta dhe të pranuara. Një shoqëri e lirë nuk është ajo ku mungon ligji, por ajo ku ligji është i drejtë dhe i barabartë.

Nëse duam ta çmontojmë modelin oligarkik dhe Shoqërinë e Tërheqjes, duhet të rikthejmë këtë rend: ligjin si kufi, drejtësinë si standard, autoritetin si legjitimitet. Pa këtë, çdo reformë ekonomike do të gërryhet nga brenda, çdo politikë sociale do të kthehet në klientelizëm dhe çdo premtim për ndryshim do të tretet në cinizëm.

Shteti i së drejtës nuk është luks institucional. Është kusht ekzistence për një Republikë që synon të jetë e lirë. Dhe për ne, si e djathtë shqiptare, kjo nuk është çështje retorike. Është vija ndarëse mes pushtetit që sundon dhe pushtetit që shërben.

Pa këtë vijë, gjithçka tjetër mbetet teatër. Me këtë vijë, fillon ndërtimi i vërtetë i shtetit.

About Redaksia

Check Also

Ku jemi këto 100 ditë në drejtimin e Bashkisë Vlorë nga kryetarja jolegjitime?

Nga Rezenbrik SERJANI ADMINISTRATA E 9 NËNTORIT, KRYESUAR NGA KRYETARJA JOLEGJITIME e Bashkisë Vlorë, BËN …