Arlind Bajaj, Aldi Hamzaraj
Anëtarë të Kryesisë të FRPD Vlorë
Shpesh njerëzit ankohen për jetesën në Shqipëri. Papunësia, çmimet e larta dhe kostoja e papërballueshme e jetesës përbëjnë refrenin me të cilin shumica e popullsisë përballet ditë pas dite në dhjetëvjeçarin e fundit. Nëse del dhe sheh rrugët kryesore të çdo qyteti, përballë të del gjithmonë e njëjta pamje: burra dhe gra të moshës së tretë, dyqane dhe biznese të mbyllura, parqe dhe lulishte të boshatisura, trotuare të shkatërruara, mungesë aktiviteti. Pra, një jetesë e lodhshme.
Migjeni thoshte “Këtu, të vrasin natën e të qajnë ditën!” për Shqipërinë e viteve ’30. A qëndron e njëjta thënje edhe sot? Vendin e Monarkisë autoritare zogiste e ka zënë Autokracia Ramiste. Vendin e xhandarmërisë e ka zënë rrjeti patronazhist. Vendin e luftës për mbijetesë nga shtresa e fundit e shoqërisë? E ka mbajtur po i njëjti problem. Por ndryshe nga regjimi i Zogut, i cili shkolloi, konsolidoi, punësoi, e krijoi lidhje me kombet e huaja, regjimi Rama nuk ka asnjë meritë.
Nuk nevojiten sondazhet për të dalluar emigrimin masiv, rritjen e moshës mesatare dhe ekonominë gjithmonë në rënie. E njerëzit e tjerë që kanë mbetur në këtë vend janë shpesh me xhepa të zbrazur, e vetmja gjë që u ka mbetur është dinjiteti. Por asgjë më tepër sesa dinjiteti nuk mund t’i shpëtojë njerëz të tillë nga vendimi për t’u larguar njëherë e mirë nga atdheu i tyre, pa kthyer më kokën pas, as për familjen, të afërmit apo të dashurit.
E njëjta situatë paraqitet edhe me bizneset, të falimentuara apo në prag falimenti. Nuk është vetëm faji i tyre që falimenti është kaq afër, emigrimi masiv ka sjellë pasoja edhe për sipërmarrjen, ashtu si edhe rritja e vazhdueshme e detyrimeve ndaj shtetit dhe rënia e fuqisë punëtore. Të gjitha këto e shtyjnë një sipërmarrës drejt mbylljes përfundimtare të aktivitetit të tij.
Studentët shpesh gjenden në një mëdyshje të madhe: të vazhdojnë studimet apo t’i ndërpresin ato për të gjetur një punë. Në fakt, janë të shumtë ata që i ndërpresin apo nuk i fillojnë fare, pasi familjet e tyre përballen me probleme të rënda ekonomike. Ndërsa ata që i vazhdojnë, shpesh me sakrifica të mëdha, detyrohen të punojnë me kohë të pjesshme, sepse përndryshe do të ishte e papërballueshme.
Punonjësit, nga ana tjetër, me paga shumë të ulëta, përballen me qera të larta dhe çmime gjithmonë në rritje. Ndërsa në një shtet tjetër europian një punonjës shijon fundjavën me familjen e tij, këtu kjo gjë është pothuajse e pamundur. Ndonjëherë duket edhe ironike. Kjo për faktin se paga në Shqipëri mjafton vetëm për të mbijetuar, e jo për të ndërtuar një jetesë të ndershme dhe të kënaqshme.
Pensionistët janë gjithashtu një shtresë shumë e rëndësishme. Gjyshërit tanë, me pensione qesharake, përballen me çmime të papërballueshme të shportës dhe me ilaçe të shumta, vlera e të cilave vështirë se mund të përballohet nga pensioni. Në më shumë se 90% të rasteve, ata ndihmohen nga fëmijët e tyre për të shtyrë muajin. Ndërsa një pjesë tjetër detyrohet të punojë ende, edhe pse në një moshë krejtësisht të papërshtatshme për punë.
Sa breza duhet të kalojnë që të kuptojmë gabimet e të parëve? Sa të ardhme duhet t’i drejtohen kurbetit para se ky vend, ky popull kaq i vuajtur, t’i thonë “JO” skamjes dhe shtypjes?
Të gjitha këto ndodhin në të njëjtin vend, ku të tjerë shijojnë verëra 33’000 euro. Ku pushtetarë të etur vazhdojnë të zhvatin xhepat e qytetarëve, duke fërkuar barkun e duke qeshur me hallet e vërteta të popullit. Askujt nuk i intereson që fëmijët e dikujt mund të kenë fjetur të uritur. Pse duhet t’u interesojë kjo pushtetarëve? Nuk duhet as të presim që t’i interesojë dikujt që në zyrën e tij ka një kopsht me vlerë 4’000’000 dollarë, që zhytet në luks të shfrenuar në shtëpi me vlerë qindra milionë euro. Dikujt që si aset të pasurisë së saj ka mbi 300 apartamente dhe disa jahte. Gjithçka që u intereson atyre është skema e radhës, tenderi i radhës, tuneli i radhës, afera e radhës, privatizimi i radhës, milionat e radhës.
A shkon kjo?
Pse duhet që rinia të largohet, të shkojë në një botë të panjohur e armiqësore, larg vendit të tij, vetëm për të pasur shancin për të lulëzuar? Përse duhet të shitet e ardhmja jonë për një qese miell? Përse duhet të mbetemi të heshtur para diktaturës së dytë të lindur nga e njëjta parti, vetëm me një logo dhe emër tjetër? Përse duhet të mbetet në pushtet pasardhësja e Partisë së Punës, vetëm se de juro ndërmori reforma neoliberaliste? A e pastron kjo anëtarësinë e saj nga krimet e kryera? Kur ata kërkojnë rotacion në Partinë Demokratike, a mos harrojnë se Edi Rama ka mbi 20 vjet që drejton Partinë Socialiste? Apo që ka qenë Ministër nga viti 1998 deri në 2000, dhe Kryebashkiak i Tiranës nga 2000 deri në 2011?
28 vjet ka qenë Edi Rama i përzier me politikën, qeverisjen, korrupsionin dhe vjedhjen. Rrënjët i ka përhapur aq gjerë saqë deri sot ka qenë thuajse e pamundur të rrëzohet. Por fundi po i vjen. Dhe atë fund do t’ia sjellim ne. Përmes revoltës paqësore, përmes të drejtës nga Zoti. Përmes protestës. Të gjithë duhet të bashkohen: intelektualë, punëtorë, studentë e pedagogë, nxënës e mësues, fermerë, sipërmarrës e biznesmenë, gazetarë, të rinj e të reja, me apo pa parti, si një trup i vetëm, për t’i dalë përballë kësaj të keqeje, të keqes më të madhe që ka parë ky vend në 35 vite demokraci. Për të protestuar edhe për ata pensionistë që e kanë të pamundur, për emigrantët, për të gjithë shtresën e varfëruar gjatë këtij regjimi, për ta rrëzuar atë, njëherë e përgjithmonë.
Rama do të bjerë.
Dhe fundi do t’i vijë shumë shpejt.
Të premten, datë 20 shkurt, në shesh.
Gazeta RD