Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të martë (17 shkurt) Igli Tafën si drejtuesin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), pas largimit të Mirlinda Karçanaj. Kjo e fundit ndodhet nën hetim nga SPAK për procedura të dyshuara abuzive me tendera që lidhen me institucionin.
Gjatë ceremonisë së prezantimit është vënë re edhe prania e Viola Agasit mes zyrtarëve dhe punonjësve që ndoqën fjalën e kryeministrit.

Ajo mban detyrën e Drejtores Juridike të Prokurimeve dhe Integrimit në AKSHI dhe, sipas të dhënave publike, është motra e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Ergys Agasi është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për aferën e fondeve publike në AKSHI.
Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka qenë pjesë kyçe e një skeme të organizuar abuzimi me tendera, përmes procedurave fiktive dhe faturimeve të rreme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.
Më herët janë raportuar detaje nga dosja e Prokurorisë së Posaçme lidhur me “grupin kriminal AKSHI”, ku përmendet se ish-drejtuesja e institucionit frekuentonte zyrën e Ergys Agasit, ku, sipas hetimeve, diskutoheshin kushtet e tenderave.
Sipas të dhënave, kompania “E.A Solution” përfitonte nga këto procedura, ndërsa verifikimi juridik i dokumentacionit kalonte në strukturat përkatëse të institucionit.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar Agasin si një nga njerëzit më të afërt të Ramës, duke pretenduar se ai ka pasur akses të drejtpërdrejtë në ambientet e Kryeministrisë dhe ka marrë pjesë në takime informale, jashtë çdo funksioni zyrtar.
Sipas Ahmetajt, Agasi ka shërbyer si ndërmjetës i interesave të paligjshme dhe si koordinator në prapaskenë, duke vepruar nën mbrojtje politike.
Gazeta RD