4 vjet nga kalimi në përjetësi i poetit Bardhyl Londo!

Nga Bujar Leskaj

4 vjet, nga kalimi në përjetësi, i poetit dhe shkrimtarit, mikut fisnik, Bardhyl Londo, i cili u nda nga jeta në moshën 74 vjeçare, pas një beteje të pabarabartë me një sëmundje të rëndë.
Bardhyl Londo la pas një pasuri të madhe letrare; krijues i qindra vargjeve për dashurinë dhe ndjenjat njerëzore, është autor i dhjetëra librave me poezi, këngëve, autor i lirikave, të cilat kanë hyrë në fondin e artë të letërsisë shqiptare. Ai i mësoi lexuesit të lexonin poezinë nëpërmjet shpirtit.
Lindi në vitin 1948 në Përmet. Studioi për “Gjuhë dhe letërsi” në Universitetin e Tiranës. Punoi për disa vite mësues në Përmet. Më vonë, u angazhua si redaktor pranë gazetës “Drita”.
Ai ishte një ndër emrat më të rëndësishëm të poezisë shqipe dhe ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Është vlerësuar me shumë çmime kombëtare, me të fundit në vitin 2021, për vëllimin poetik “Prill i hidhur” si vepra më e mirë poetike.
Bardhyl Londo ishte deputet i Partisë Demokratike në vitet e vështira 1997- 2005, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe kontribues i jashtëzakonshëm në hartimin e politikave kulturore të PD.
Londo ishte poet i angazhuar. Poezitë e tij ishin frymëzuese në vitet 1990, kur u bënë refren i ndryshimit të madh demokratik.
Këshilltar në Ministrinë e Turizmit dhe Kulturës në vitet 2005- 2013, duke qenë ideator i politikave bashkëkohore në kulturë.
Bardhyl London e kisha mik të ngushtë që prej vitit 1998. Nga këshillat e tij të vyera për jetën kam mësuar shumë edhe në periudhën shtator 2005- mars 2007 kur bashkëpunuam në ministri.

Bilanc

Fitimtarët-
fitimtarë.
Të mundurit-
të mundur në përjetësi.
Në qoftë kështu
mos na ardhsh kurrë demokraci!

About Redaksia

Check Also

Ndahet nga jeta shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj

Nga Bujar Leskaj Sot, datë 29 prill 2026 ,zonja fisnike, shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj, në …