Bozdo: AKSHI i është dhënë dhuratë në tabaka krimit të organizuar!

Deputeti i PD, Eno Bozdo ka reaguar me një deklaratë për mediat për Ndryshimet e fundit ligjore në ligjin “Për Qeverisjen Elektronike”, që priten të miratohen nga mazhoranca në Kuvend.

Bozdo tha se, në vitet e fundit janë rreth 500 milionë euro të dhëna nga AKSHI për sisteme IT që sot as funksionojnë dhe ndoshta as ekzistojnë, sisteme që kanë lidhje më të dhënat sensitive, me funksione të rëndësishme të kadastrës, me të dhëna të menaxhimit të sistemit gjyqësor, me sistemet e brendshme të informacionit të policisë së shtetit, të gjitha këto të vëna në dispozicion të krimit të organizuar dhe që shqiptarët ende nuk dinë si dhe ku janë përdorur!

Deklarata e plotë

Ndryshimet e fundit ligjore në ligjin “Për Qeverisjen Elektronike”, që priten të miratohen nga maxhoranca në Kuvend, jo vetëm që nuk i japin përgjigje situatës katastrofike ku AKSHI gjendet sot, por rrisin hapësirat ligjore për mungesë transparencë, kontrolli, keqpërdorim të fondeve publike dhe për rrjedhojë korrupsion shtesë.

Sikur të mos mjaftojë fakti se AKSHI praktikisht ka dorëzuar sot të gjithë infrastrukturën e tij tek kompani, pronarët e të cilëve janë në kërkim nga drejtësia, të provuar që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, ndryshimet ligjore të propozuara do t`i japin mundësi AKSHI-t të hyjë në shoqëri tregtare të përbashkëta me palë të treta, me privatë, në emër të rritjes së eficencës dhe profesionalizmit të shërbimeve.

Së pari, hyrja në marrëdhënie të tilla tregtare, në shoqëri aksionare të përbashkëta, edhe në rastin e qëllimeve më të mira, është shumë problematike sepse modele të tilla menaxhimi praktikisht kanë dështuar gjithmonë në Shqipëri. Shoqëritë e përbashkëta shtet-privat janë forma që në administrimin e pronës publike kanë 25 vjet që nuk përdoren më, sepse eksperienca ka treguar që ato nuk funksionojnë!

Së dyti, kush do të përcaktojë dhe me çfarë mekanizmi do të përcaktohet vlera e aksioneve? Në një kompani ku AKSHI zotëron 51% të aksioneve, sa vlen pjesa e mbetur prej 49%? Kush e vendos vlerën e një aksioni, apo i lihet ajo në dorë humorit të drejtuesve të AKSHI-t?

Së treti, këto kompani praktikisht do të shmangin edhe sistemin e prokurimit publik, sepse zotërohen nga shteti. Pra në praktikë AKSHI do t`i japë fondet, pa garë, një kompanie ku ai vërtet zotëron 51%, por ku gjithashtu 49% të aksioneve zotërohen nga privati. Pra, nuk do të kemi asnjë transparence në shpërndarjen e fondeve.

Së katërti, privati tashmë do ketë në dorë, me bekimin e ligjit, të dhënat sensitive të shqiptarëve. Kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë, sidomos pas skandaleve ku AKSHI gjendet gjithmonë si promotor i tyre! Praktikisht, kjo shpikje ligjore e bën edhe më dëshpëruese situatën katastrofike ku AKSHI ka rënë.

Në vitet e fundit janë rreth 500 milionë euro të dhëna nga AKSHI për sisteme IT që sot as funksionojnë dhe ndoshta as ekzistojnë, sisteme që kanë lidhje më të dhënat sensitive, me funksione të rëndësishme të kadastrës, me të dhëna të menaxhimit të sistemit gjyqsor, me sistemet e brendëshme të informacionit të policisë së shtetit, të gjitha këto të vëna në dispozicion të krimit të organizuar dhe që shqiptarët ende nuk dinë si dhe ku janë përdorur!

Problemi pra është shumë i madh sepse nuk kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me megakorrupsion, çka nuk do të përbënte më lajm në Shqipërinë e Edi Ramës. Por është hera e parë, e provuar nga hetimet, që institucioni i cili është ngritur për të ruajtur sigurinë kibernetike kombëtare, për të ruajtur të dhënat sensitive dhe private të cdo shtetasi dhe të dhënat e pronësisë së tyre, i është dhënë dhuratë në tabaka, krimit të organizuar.

Këtu nuk kemi më të bëjmë me kalbëzim të shtetit nga megakorruosioni, por kemi të bëjmë më gangrenizim të eshtrës së shtetit nga ana e krimit të organizuar. E pra kështu, asnjë shoqëri, sado e shëndoshë të jetë, nuk mbijeton dot!

Për sa kohë Edi Rama të jetë në krye të vendit, kjo situatë do të përsëritet shpesh e më shpesh. Nuk ka shpëtim nga e keqja e madhe që na ka zënë, veçse me reagim shoqëror. Nuk është më një detyrë e secilit nga ne për të reaguar kundër korrupsionit, por është detyrë e të gjithëve për tu ngritur ndaj së keqes që po i vjedh të ardhmen vendit!

Në datë 20 shkurt, të mblidhemi të gjithë të protestojmë për të ardhmen tonë dhe të familjeve tona!

About Redaksia

Check Also

SPAK kujtohet për Ballukun, shkresë bankave për pasurinë e saj 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka intensifikuar hetimet për zv/kryeministren …