Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Partia Demokratike qëndron vendosshmërisht në krah të banorëve të Kaçinarit, të cilët prej më shumë se dhjetë vitesh kundërshtojnë koncesionin për ndërtimin e HEC-eve në lumin Shpërdhaza, një projekt që rrezikon ujin, tokën dhe vetë mbijetesën e zonës.
Banorët kanë denoncuar vazhdimisht firma të falsifikuara, konsultime publike fiktive dhe punime pa leje mjedisore në të shkuarën.
Ata insistojnë se nuk kanë dhënë asnjë miratim dhe e kanë bërë të qartë se toka dhe uji janë trashëgimi e brezave të tyre, jo plaçkë për interesa klienteliste.
Pavarësisht protestave, kallëzimeve penale dhe peticioneve, institucionet vijojnë të heshtin.
Fakti që kallëzimet sorollaten nga një institucion te tjetri dhe që Prokuroria e Lezhës ka kërkuar për herë të dytë pushimin e hetimeve, thellon dyshimin se kemi të bëjmë me një aferë të mbrojtur politikisht.
Është e papranueshme që përballë kaq shumë denoncimeve, përgjigjja të jetë “nuk ka vepër penale”.
Kjo minon besimin e qytetarëve te drejtësia.
Partia Demokratike kërkon:
• Pezullimin e menjëhershëm të koncesionit;
• Hetim dhe transparencë të plotë për çdo falsifikim dhe shkelje ligjore;
• Një vendimmarrje të drejtë dhe të paanshme nga gjykata.
Banorët e Kaçinarit nuk janë përballë vetëm një koncesioni të dyshimtë, por edhe një sistemi që po u mohon drejtësinë.
Ne do të jemi në krah të çdo qytetari që mbron pronën, ujin, jetën dhe dinjitetin e tij përballë një pushteti që u shërben interesave private dhe jo interesit publik.


Gazeta RD