Banorët që preken nga projekti TID në Durrës vijojnë rezistencën e tyre për të kundërshtuar këtë projekt. Ata shprehen se nuk kanë marrë asnjë zgjidhje në takimin me kryeministrin Edi Rama. Banorët thonë se nuk kanë frikë dhe nuk do të lejojnë shembjen e shtëpive; madje shkojnë edhe më tej, duke deklaruar se do të vendosin tritol në brez dhe nuk do të dalin nga shtëpia.
Nga lagjja nr. 3 projekti TID, pritet të prekë shumë banesa. Nga ana tjetër, vizita e një dite më parë e kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ka shkaktuar shqetësim te banorët, të cilët shprehen se nuk e kanë kuptuar cili ka qenë qëllimi i kësaj vizite të qytetares së parë të qytetit bregdetar.
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama të shtunën, banorët nuk po e ndalin betejën e tyre për të drejtën e pronës. Ata po firmosin edhe një peticion, ku kërkojnë nga kryebashkiakja dhe IMT anulimin e vendimit që u kërkonte, deri më 16 shkurt, të lironin në mënyrë vullnetare banesat. Banorët thonë se, nëse do të vijë fadroma, ata do të qëndrojnë brenda, duke shkuar edhe deri në sakrifikim.
“Çfarë Europe, ky po na fut në gropë. Ai po sillet si Sulltan Murat me pronat tona, por unë e kam vendosur. Nuk dal nga shtëpia ime”, thanë tha një nga banorët.
“Kryeministri Rama na vuri përpara zgjedhjeve të imponuara”, u shpreh një tjetër banor.
Banorët kërkojnë pezullimin e projektit, dialog me autoritetet për fatin e banesave të tyre dhe rishikimin e vlerës së shpronësimit sipas vlerës së tregut.
Gazeta RD