Gjekmarkaj: Berisha është themeluesi i pluralizmit! Niko Peleshi e kishte më afër Trumpin se sot Edi Rama!

Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj, gjatë fjalës së tij në sallën e Kuvendit, ndërthuri referenca historike, krahasime politike dhe kritika të drejtpërdrejta ndaj mazhorancës.

Duke iu përgjigjur edhe deputetëve të PS që kërkonin në sallë Sali Berishën, Gjekmarkaj u shpreh se, Sali Berisha është themeluesi i pluralizmit në Shqipëri. Ndërkaq duke ironizuar Taulant Ballën, Gjekmarkaj u shpreh se, disa ditë më parë Niko Peleshi e kishte Trumpin më afër se sa Edi Rama sot.

Fjala e deputetit Agron Gjekmarkaj

Të nderuar deputetë, e nderuar drejtuese e seancës. Nuk e di pse duke dëgjuar disa kolegë sot në gjysmën e dytë të ditës, edhe nuk po ndërtoj këtu një asociacion, m’u kujtua ai vargu popullor që e kishte aq shumë për zemër Faik Konica. Gomarica shkon vërdallë, mbushur hir, mbushur llallë.

Do të përpiqem të shpjegoj një koncept timin modest, shkurt, para në pozitat, para në pozitat e lektorit të konceptit mes historisë dhe rastësisë. Shumë prej nesh në këtë sallë mund të jenë rastësorë, një kombinim rrethanash, një kombinim zelli, një kombinim nevojash. Disa të tjerë vijnë dhe ndikojnë në këtë sallë me ligjërimin e vet politik, me retorikën e tyre, ndikojnë parlamentin, ndikojnë Shqipërinë, ndikojnë dhe historinë. Disa të tjera i kalojnë anash historisë, përpiqen të kacavirren për xhaketën e saj.

Disa kanë lindur vonë, disa përtojnë të lexojnë, disa kanë nevojë të duken, nuk është gjë e keqe, është ambicie njerëzore. Por pashë që gjatë gjithë pasdites revokuat vëmendjen e Sali Berishës në sallë. Një vëmendje që nuk e patët.

Për ata që s’kanë lexuar dhe për ata që nuk e dinë peshën e historisë, duhet t’ju kujtoj dy-tre gjëra pastaj ta bëjnë vetë analizën.

Duhet t’ju kujtoj që Sali Berisha është themeluesi i pluralizmit, i shtetit të së drejtës, po nuk ju nderon kjo pas thirrmat për të qeshur se Edi Rama nuk po ju sheh sot, është në Uashington. Një ditë kalon Edi Rama, kalon dhe Sali Berisha, kaloj dhe unë, kalon dhe ti, po historia mbetet. Është njeriu që futi Shqipërinë në NATO, njeriu që bëri Shqipërinë pa viza, njeriu që ndërtoi infrastrukturën moderne, njeriu që bëri Shqipërinë pa banda dhe lejoi rotacionin demokratik të pushtetit. Pra, kini parasysh kur merrni guximin për ta revokuar me të drejtë dhe të padrejtë orë e çast.

Tani shoh që kolegu Taulant Balla nuk është në sallë, por ai na ftoi që të ndiznim celularët dhe televizorët dhe ne e bëmë këtë në fakt. Dhe për fat të keq, duhet të them diçka që nuk më pëlqen ta them, por që është e vërtetë. Më afër e kishte Donald Trumpin, Niko Peleshi, Fatmir Mediu tek mëngjesi i lutjeve, se kryeministri ynë sot në bordin e paqes, që është gjë shumë e mirë që Shqipëria është në bordin e paqes. Prit.

Tani përsëri duhet të kthehem tek historia që është mësuese e jetës siç thonë latinët dhe duhet t’ju kujtoj që i vetmi president që është pritur në zyrën ovale edhe me oshtimë topash është Sali Berisha në vitin 1992 nga presidenti George Bush dhe po kaq në vitin 1995 nga presidenti Bill Clinton. Dhe po kaq është kryeministri që ka pritur një president në detyrë, George Bushin në Shqipëri.

Është një këngëtar italian, Califano, ka një këngë të famshme thotë, ‘Tutto il resto è noia’, çdo gjë tjetër pastaj është bezdi. Dhe pjesa tjetër është paradoks, që ngjizet rastësisht dhe shbëhet nga arsyeja. Tani le të kthehemi tek projektligji i koleges ëh Zhupa. Ndonjëherë duhet folur për trishtimin dhe absurdin që ka mbërthyer trashëgiminë tonë kulturore. Për atë që duhet të ishte krenaria jonë kombëtare, por që sot shpesh duket si robinjë në duar kopukësh dhe matrapazësh.

Trashëgimia kulturore po shndërrohet në mall privat, për të pasuruar shumë miq të qeverisë dhe për të zbukuruar bizneset e tyre nga njerëz që dinë çmimin e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje. Rilindja Kombëtare, një lëvizje që na formoi si komb, na dha identitet, histori dhe kulturë. Sot emrin e saj e ka rrëmbyer Edi Rama dhe Partia Socialiste. Është guxim vërtet shumë i madh. Po ju pyes, kush nga ju ndihet rilindas në këtë sallë? Cili është Naim Veçilharxhi prej jush? Kristoforidhi, Naim Frashëri?

Në qoftë se ndonjëri ndihet le të ngrejë dorën dhe t’ia njohim këtë meritë. Sevasti Qiriazi, Gjergj Fishta, Faik Konica, Mjeda apo ndonjë tjetër. Braçe ngjan pak me Migjenin në fakt. Jo jo, ishte gjë serioze, të bëra kompliment. Thashë që ngjan pak me Krikrinë. Shumë nuk e dinë, ti mund t’ia shpjegosh, po mund ta kërkojnë në ChatGPT kush ka qenë.

Tani le të kthehemi pak tek disa çështje kulturore. Shikoni pak shtëpitë e Tiranës. Më përpara shumë vila shpalleshin monumente kulture, dhe më pas, besoj fort në njohjen e korrupsionit, statusi u hiqej, disa digjeshin dhe ndërtoheshin kulla, sigurisht duke lënë mënjanë gjithë historinë dhe identitetin e kryeqytetit. Po flitet shumë që edhe kjo ndërtesa që kemi përballë ne, ish-legata italiane, ndërtesë me status historik, dhe Instituti për të ndjekurit politikë, mendohet që mund t’ia shembë së shpejti dhe vendin e saj ta zërë një kullë gjigande.

Muzemet në rrethe, bosh, në degradim, me fotografi të zverdhura, me minj që brejnë kujtesën dhe ndërgjegjen tonë, ndërsa pushtetarët brejnë paratë publike. Dhe sigurisht nuk ka mirëmbajtje për muzumet. Por e kam një propozim konkret. Ju si mazhorancë keni arritur një standard të jashtëzakonshëm në nivelin e korrupsionit dhe krenoheni me shumë turista që vijnë në Shqipëri. Është mirë të bëni një muzeum për korrupsionin. Keni shumë eksponentë dhe eksponate në Durrës, tek burgu i Durrësit, dhe shumë të tjera mund të shtohen këtu nga salla ose nga qeveria, kështu që mund të dalë një muzeum shumë interesant që të joshë turistët nga e gjithë bota më shumë sesa shtëpia me gjethe.

About Redaksia

Check Also

Deputeti i PD: Rama po sillet me arrogancë me pronarët e ligjshëm në Durrës!

Deputeti i PD, Igli Cara, në fjalën e tij në Kuvend ngriti shqetësimin për pasuritë …