Deputeti i PD, Gent Strazimiri, në fjalën e tij në Kuvend akuzoi kryesinë e parlamentit për shkelje të Kushtetutës dhe zvarritje të qëllimshme të kërkesës së prokurorisë për arrestimin e Belinda Ballukut.
Sipas tij, rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta e përcaktojnë qartë se kur prokuroria kërkon heqjen e imunitetit për një anëtar të qeverisë, çështja duhet të shqyrtohet “menjëherë”.
Strazimiri deklaroi se mazhoranca po përpiqet të mbajë gjallë njëkohësisht Edi Ramën me Belindën dhe SPAK-un, veprën e artit që keni bërë në reformën në drejtësi. Sipas tij, kjo është e pamundur. Njëri prej tyre do “vdesë” sot, të dyja bashkë nuk mund të jetojnë.
Gent Strazimiri: Zoti kryetar, proceduralisht ke dy muaj e gjysmë që je në shkelje të kushtetutës dhe të rregullores së kuvendit. Ka ardhur një kërkesë nga prokuroria për të arrestuar.
Do të thotë, kur vjen kërkesë nga prokuroria për të arrestuar një anëtar të kabinetit qeveritar i cili gëzon imunitetin që ka deputeti, ti duhet ta marrësh në shqyrtim menjëherë. Në qoftë se diskutojmë çfarë është menjëherë, është, mund të jetë logjikisht, nëse bie e shtunë, bie e diela duhet të presim të hënën. Jo dy muaj e gjysëm as tre. Në një kohë kur afatin gjithë e gjithë e ke tre muaj, nëse nuk kthen përgjigje do të thotë kërkesa ka rënë.
Të thuash po mendohem se a mund të ndërhyjë apo s’mund të ndërhyjë te qeveria, prokuroria dhe drejtësia dhe pastaj do të marr vendim, është një gjë që kjo është nonsens, kjo fyen inteligjencën e shqiptarëve. Ndërhyn, ç’ke me të prokuroria tek gjyqësori. I ve hekurat. E ke me kushtetutë, e ke me rregullore të kuvendit. Nuk ka imunitet anëtari i Këshillit të Ministrave në vetvete përveçse asaj që Kushtetuta i njeh deputetit.
Brenda seancës duhet të vijë këtu dhe të merret vetëm një vendim. Këtë ka detyrë ky parlament të bëjë. Mos ndoshta prokurori kërkon të persekutojë politikisht zëvendëskryeministren e vendit? Në qoftë se nuk ka prova të tjera që po kërkon ta persekutojë politikisht, i jepet leja, i jepet leja t’i vejë hekurat.
Në çdo shtet normal, çdo qeveri, në momentin kur një prej anëtarëve të kabinetit, i bie qeleshja tek prokuroria, në sekondë e shkarkon vetë…
Goxha juristë marrin shkruajnë budallëqe te kodi i procedurës, te kodi i procedurës penale. A ndërhyn apo s’ndërhyn dot drejtësia? Ndërhyn, ç’ke me të, i vë hekurat. E ke me Kushtetutë. Ti ke vetëm një detyrim, ta marrësh menjëherë këtu, të keni kurajën të thoni, kjo po persekutohet politikisht nga prokuroria, që nga ai moment ai prokuror s’mund të jetë më në detyrë.
Dy gjëra ka. Doni t’i mbani gjallë dhe Edi Ramën me Belindën, duke vazhduar të vjedhin, dhe SPAK-un, veprën e artit që keni bërë në reformën në drejtësi, t’i mbani të paprekura. Njëri prej tyre do vdesë sot. Për shkak të kësaj kërkese që ka bërë prokuroria. Të dyja bashkë nuk mund të jetojnë. Kështu që merrni, silleni në seancë. Riktheni kushtetutshmërinë e këtij kuvendi, silleni në seancë dhe kini kurajën t’i thoni jo prokurorisë…
Gazeta RD