Tensione në Kuvend, Bardhi: Hiqni imunitetin Ballukut, jeni kthyer në mburojë!

Kuvendi ka nisur me debate për çështjen e Belinda Ballukut. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi kërkoi që t’i hiqet imuniteti Belinda Ballukut, duke akuzuar mazhorancën se është kthyer në mburojë të saj dhe se kanë penguar SPAK.

Ai u shpreh se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka më asnjë pengesë që diçka e tillë të ndodhë, ndërsa ka akuzuar mazhorancën se janë bërë pengesë për hetime në lidhje me korrupsionin.

Sipas tij, mazhoranca prej dy muajsh po e zvarrit këtë çështje, duke e shndërruar institucionin më të lartë ligjvënës në një “bunker për zyrtarët e korruptuar”.

Gazment Bardhi: Zoti kryetar i kuvendit, kuvendi i Shqipërisë në axhendën e tij duhet të ketë vetëm një pikë që ju keni dy muaj që e mbani zvarrë e tërhiqni zvarrë, duke e kthyer kuvendin e Shqipërisë institucionin e vetëm në botë që bëhet bunker ndaj zyrtarëve të korruptuar. Dhe kjo çështje është futja me urgjencë në rend dite e kërkesës së prokurorisë për të hequr imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. E justifikuat shtyrjen fillimisht me kohën që kërkoi avokati mbrojtës tre javë për të mbrojtur korrupsionin e Belinda Ballukut.

Na thatë, pasi skadoi tre javët e kërkuara, që do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për dy muaj i mbushët kokën shqiptarëve që një zëvendëskryeministër apo ministër nuk mund të pezullohet se gëzon imunitetin e deputetit. Morëm përgjigje nga Gjykata Kushtetuese që pezullimi nga detyra, 8 me 0 madje, nuk hyn fare në çështjen e imunitetit as të deputetëve, as të ministrave. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nxorrët një tjetër justifikim, do presim të zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Dhe për dy muaj jeni bërë pengesë për hetimin e korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë. Prandaj dhe nuk duhet të bëhemi hipokritë zoti kryetar. Miratojmë kalendare e program pune ku ky kuvend ka dështuar për dy muaj të përmbushë një funksion kushtetues në interes të qytetarëve, siç është pranimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Prandaj dhe deri në atë moment, ky kuvend nuk mund as të funksionojë normalisht, as të bëjë sikur ajo çështje nuk ndodhet këtu, dhe as të na njoftoni që përmes një ligji keni vendosur t’i jepni mbrojtje politike kryeministrit dhe ministrave nga veprimet hetimore të prokurorisë së posaçme.

Jeni i vetmi vend në botë që miratoni një ligj për të mbrojtur veten. Dhe është në turpin e këtij kuvendi, por dhe të kolegëve të mi të mazhorancës, një pjesë prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me korrupsionin dhe nuk duhet të pranojnë kurrë që të shndërrojnë këtë sallë në mburojë për të korruptuarit. Prandaj zoti kryetar, në kalendar do të duhet të fusni me urgjencë heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, t’i hapni rrugë hetimeve të prokurorisë, t’i hapni rrugë çdo mase që kërkon prokuroria ndaj cilitdo që të shkojë dhe të përballet si i barabartë përpara ligjit për çdo akuzë që ngrihet nga Prokuroria e Posaçme…

About Redaksia

Check Also

Topalli: PS ka frikë, po i jep vetes super-imunitet me ligje mafioze!

Deputetja e PD, Jozefina Topalli, gjatë fjalës në Kuvend tha se, veprimet e fundit legjislative …