Ulja e TVSH-së për ushqimet e shportës: domosdoshmëri!

Nga Bujar Leskaj

Votoj dhe mbështes me bindje të plotë projektligjin  “Për një shtesë në ligjin nr. 92, datë 24.7.2014 “Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, për arsyet e mëposhtme:

I. Kosto e jetesës e rritur në mënyrë të jashtëzakonshme në gjashtë vitet e fundit

Gjatë periudhës 2020-2025, çmimet e ushqimeve të shportës, pra artikujve të domosdoshëm për mbijetesë, janë rritur me 20-25 përqind, ndërkohë që tè ardhurat për shtresat e varfëra dhe me paga modeste vetëm 10-12 përqind.

Sipas INSTAT, ushqimet edhe për vitin 2025, zënë rreth 40 përqind të buxhetit të familjeve tona, duke ruajtur të njëjtën peshë si në vitet 2023 dhe 2024.

Ndonëse paguhemi më pak se të gjithë qytetarët e BE-së, me rreth 41 përqind të mesatares europiane, sipas fuqisë blerëse, qytetarët tanë shumë produkte i blejnë deri në 50% shtrenjtë se në Europë gjatë tre viteve të fundit, sipas indeksit krahasues të Çmimeve të Konsumit të publikuar nga Eurostat.

Shqipëria ka fuqinë blerëse më të ulët në Europë, duke qenë më poshtë se edhe Ukraina dhe Moldavia, pavarësisht se të dy këto vende e kanë pagën minimale më të ulët se vendi ynë.

II. Shqipëria me TVSH më të lartë në Evropë!

Norma prej 20% e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) për të gjitha produktet ushqimore konsiderohet nga të gjithë ekspertët e huaj dhe të vendit si shumë e lartë, për një ekonomi me të ardhura mesatare dhe me nivel ende tejet të ndjeshëm varfërie.

Ulja e kësaj takse për ushqimet e shportës nuk është vetëm çështje fiskale. Ajo lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien sociale, stabilitetin ekonomik dhe funksionimin e tregut të brendshëm.

Kur TVSH mbetet në nivele të larta, për familjet rritet ndjeshëm kosto e jetesës, ulet konsumi real dhe rritet fort presioni mbi shtresat me të ardhura të ulëta. Ulja e TVSH-së do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në lehtësimin e buxheteve familjare dhe në stabilizimin e konsumit bazë.

Nga interesat dhe perspektiva ekonomike, ulja e TVSH-së për ushqimet bazë do të prodhojë menjëherë rritje të konsumit të brendshëm, pasi çmimet më të ulëta stimulojnë kërkesën, duke gjallëruar tregun.

TVSH-ja në nivelin 5 përqind për ushqimet e shportës, sikurse e cakton projektligji, rrit formalizimin e ekonomise, pasi pakëson incentivën për evazion fiskal në sektorin ushqimor. TVSH e ulur është mbështetje indirekte për prodhimin vendas, pasi konsumi më i lartë do të përkthehet në kërkesë më të madhe për prodhuesit vendas, veçanërisht në bujqësi.

III. Ulja e TVSH-së ka dimensioni të thellë social dhe lufton fort varfërinë!

TVSH është taksë regresive. Ajo prek proporcionalisht më shumë shtresat me të ardhura të ulëta. Ulja e saj për produktet bazë përfaqëson njëpolitikë sociale efektive, sepse (i) ndihmon drejtpërdrejt familjet më vulnerabël, (ii) redukton rrezikun e përjashtimit social dhe (iii) përmirëson sigurinë ushqimore.

Në shumicën e vendeve europiane, ushqimet bazë kanë norma TVSH-je të reduktuara, pikërisht për këtë arsye. Për shembull, Italia TVSH-në e ka 4%, Greqia 6%  dhe Polonia 5%.

Në Shqipëria nuk aplikon normë të reduktuar për ushqimet bazë, do të përballemi me presion më të madh të inflacionit ushqimor, disavantazh të rëndë social dhe sfida shkatërruese për prodhuesit vendas, sidomos ata bujqësorë.

xxx

Ulja e TVSH-së për ushqimet e shportës nuk është thjesht politikë fiskale. Ajo është para së gjithash politikë sociale, ekonomike dhe stabilizuese. Në kushtet e presionit mbi koston e jetesës dhe nevojës për stimulim ekonomik, një rishikim me ulje të fortë i kësaj takse për ushqimet e shportës sot është domosdoshmëri. Me monitorim efektiv të zbatimit, ulja e TVSH-së për ushqimet bazë do të shndërrohet në instrument real për rritjen e cilësisë së jetës dhe zhvillimin ekonomik.

 

About Redaksia

Check Also

Kabllogrami i 16 dhjetorit/ Skandal-Baton Haxhiu tregon si po përgjohet Ambasada e SHBA nga Rama

Baton Haxhiu, i cili njihet si zëdhënësi mediatik i Ramës ka bërë një deklaratë qe …