Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës para mijëra shqiptarëve të mbledhur përpara kryeministrisë e krahasoi qeverisjen e Edi Ramës me regjimin komunist, duke e cilësuar atë si ‘kufomë politike’.
Berisha akuzoi mazhorancën për korrupsion masiv, manipulim elektoral dhe kapje të institucioneve, ndërsa bëri thirrje për mobilizim qytetar për largimin e qeverisë.
Berisha: Të dashur miq, satani i shqiptarëve, Enver Hoxha, siç dihet, vdiq në vitin 1985, por e vërteta është se ai, diktatura e tij, vazhduan sundimin fuqiplotë gjer ditën që ne shembën shtatoren e tij, kultin makabër të Enver Hoxhës, që kishte pushtuar shpirtrat e shqiptarëve.
Njëlloj, sot Edi Rama është një kufomë politike, është një kalbësirë politike, i damkosur, i diskredituar, i tmerruar.
Por prapëseprapë, njëlloj si shtatorja e Enver Hoxhës, do mbetet në atë zyrë për sa kohë ne nuk do ta tërheqim prej saj siç tërhoqëm atin e tij shpirtëror 35 vite më parë.
Miq, diktatura hoxhiste ishte një diktaturë e pashembullt në Europë.
Ajo, përveç plojës së luftë së klasave, me të cilën ekzekutoi mijëra e mijëra shqiptarë për liri, dinjitet, për besimin tek Zoti, për besimin tek Shqipëria, internoi me dhjetëra mijëra të tjerë, persekutoi me qindra mijëra, përdori përveç kësaj tiraninë e mjerimit, izolimin më të thellë, indoktrimin më ekstrem.
Pra, ai regjim 46-vjeçar vendosej mbi disa shtylla që rëndonin çdo ditë mbi shqiptarët.
Sot, regjimi i Edi Ramës përsëri ngrihet mbi tre shtylla turpi, mbi tre shtylla, të cilat rrënojnë çdo ditë qenien tonë.
Në qoftë se Enver Hoxha me varfërinë, mjerimin, skamjen, urinë kronike, shtypjen dhe indoktrinimin, i shndërroi shqiptarët në një popull fantazim, Edi Rama me politikat e tij, me vjedhjet, farsën elektorale, mashtrimin, me krimin dhe ligjin mburojë, po e shndërron Shqipërinë në dheun e joshqiptarëve, po përzë shqiptarët nga Shqipëria, po shkreton kombin dhe vendin për të ndërtuar parajsën e tij dhe të hajdutëve të tij.
Miq, pra, ngjashmëritë janë tmerrësisht të hidhura.
E vërteta është se kurrë ky komb nuk është vjedhur siç vidhet sot nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij.
Miliarda euro Porti i Durrësit, në të cilin ai ndërton Dubain e 1001 netëve të tij.
Qindra milionë euro me AKSHI-n e Lindave.
Qindra milionë euro me Erion Veliajn dhe inceneratorët.
Miliarda me Lubinë e tij në rrugë dhe punë që nuk janë kryer kurrë.
Dhe këto para, përveçse në parajsat e tyre, shndërrohen në një krim të tmerrshëm elektoral.
Shndërrohen në vota të blera.
Dhe votat e blera shndërrohen në vjedhje edhe më të mëdha.
Ndaj dhe shqiptarët marrin rrugët e dheut tashmë jo si një popull fantazmë, por si një popull që braktis dheun e tij të bekuar sepse pasuritë e këtij vendi janë shndërruar në pasuri të mallkuara për qytetarët e tij.
Gazeta RD