Berisha: Sot nderojmë 20 Shkurtin me zotimin tonë para shqiptarëve se Rama i ka kohërat e numëruara

Kryetari i PD, Sali Berisha duke folur në protestën madhështore të thirrur nga opozita deklaroi se, Edi Rama i ka kohërat e numëruara.

Duke nderuar 20 Shkurtin e vitit 1991, ku shqiptarët rrëzuan bustin e diktatorit, Berisha u shpreh se, ‘e vërteta është se ne sot nderojmë këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, por edhe me frymëzimin më të madh, me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama do t’i ketë kohërat e numëruara’.

Berisha: Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, opozitare dhe opozitarë, demokrate e demokratë kudo që jeni, në këtë shesh, në të katër anët e vendit dhe jashtë tij.

Të nderuar deputetë, drejtues të PD, drejtues të forcave politike aleate, përshëmdetjet më të përzemërta ju misionarëve të pamposhtur të Shqipërisë, ju që mblidheni sot në një nga ditët më të shënuara të historisë tonë kombëtare.

20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë të mbledhur në qytetin e studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve liberatorë, grevës së urisë për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit Skënderbej, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë në një betejë, e cila shënon kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë.

Në një betejë paqësore që ka shndritur dhe do të shndrisë gjithmonë në historinë e revolucionit demokratik, në të cilin përmbysën shtatoren, përmbysën kultin e satanit, kultin e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës.

Përmbysën regjimin i cili në 46 vite shtetëzoi, ekzekutoi, burgosi, persekutoi, varfëroi, mjeroi më shumë shqiptarët se çdo pushtues tjetër që ata kishin njohur në tërë historinë e tyre.

Nderim përjetë atyre guximtarëve që si luanë u vërsulën mbi shtatoren e diktatorit, e përmbysën atë dhe çliruan Shqipërinë nga diktatura komuniste 46-vjeçare.

Miqtë, 35 vite më parë, të gjithë ata që ishin në shesh, por mbarë qytetarët shqiptarë, kurrë nuk do mendonin se 35 vite më vonë do ndodheshin para një regjimi.

Sigurisht, jo të njëjtë në mënyrë identike, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë e shumë aspekte.

Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë, pushtet e vendit do ishin në duart e një krimineli të pashembullt në histori pas Enver Hoxhës.

Pushtetet e vendit do ishin në duart e një tradhtari që do nxijë gjithmonë në historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj kombit dhe vendit.

Do ishin në duart e një njeriu që do plaçkiste Shqipërinë sa askush tjetër në historinë e tij.

35 vite më parë, ata qindra mijëra burra dhe gra që kaluan bllokimin, kaluan autoblindat, snajperët, mitrolozët, për votën e lirë, për dinjitetin njerëzor, nuk mund të besonin kurrë se 35 vite më vonë përsëri do u rikthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysën.

E vërteta është se ne sot nderojmë këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, por edhe me frymëzimin më të madh, me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama do t’i ketë kohërat e numëruara.

About Redaksia

Check Also

Berisha paralajmëron Ramën: Në rast se guxon të sulmsh këtë seli, selive të tua gjurmë nuk do t’u gjesh!

Kryetari i PD, Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga Selia i bëri thirrje …