Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur para mijëra mbështetësve në protestën kombëtare tek kryeminsitria deklaroi se opozita është sot ‘forca e vërtetë’ përballë qeverisë.
Duke bërë paralelizma me vitin 1991 dhe rrëzimin e regjimit komunist, ai theksoi se beteja aktuale politike, sipas tij, është një vazhdimësi e përballjes për ndryshim.
Berisha: Miq, në vitin 1991, pak muaj pas themelimit dhe me të drejtë, të gjithë ata që na shikonin, shtronin pyetjen kur shihnin shtatoren e diktatorit, a janë në opozitë këta apo nuk janë në opozitë?
Por një ditë ne u faktuam shqiptarëve dhe botës se ishim opozitë, dhe ishim opozita më e guximshme e Europës.
Dhe ishim opozita që u përballëm në një betejë epike të pashembullt me diktatorin më gjakësor dhe e shembëm atë.
Sot, përsëri, sytë e Europës, sytë e mbarë botës, sytë e shqiptarëve, mendjet, zemrat e tyre janë të drejtuara tek ne, tek ne dhe vetëm tek ne.
Por në qoftë se 35 vite më parë me të drejtë pyesnin, a janë apo nuk janë në opozitë këta, sot pas betejave tona, pasi u ngritëm si Feniksi nga hiri, nuk pyet kush më jemi apo nuk jemi, jemi uragani, jemi forca, jemi opozita e vërteta.
Do shpëtojmë Shqipërinë.
Gazeta RD