Media amerikane: Akuzat për korrupsion shkaktojnë përplasje në Shqipëri mes policisë dhe protestuesve

Policia në Tiranë përdori gaz lotsjellës dhe topa uji të premten gjatë përplasjeve me protestuesit e opozitës, të cilët kërkonin dorëheqjen e qeverisë shqiptare pas akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres.

Demonstruesit hodhën bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt zyrës së kryeministrit Edi Rama, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.

Tensionet politike janë përshkallëzuar që nga dhjetori, pasi një njësi e posaçme e prokurorisë ngriti akuza ndaj zëvendëses së Ramës, Belinda Balluku, për ndërhyrje të dyshuara në tenderë publikë për projekte të mëdha infrastrukturore dhe favorizim të kompanive të caktuara, akuza që Balluku i mohon.

Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike në opozitë brohoritën “Rama ik” dhe “Rama në burg”, duke mbajtur flamuj shqiptarë dhe të partisë.

“Ditët e Edi Ramës janë të numëruara,” tha kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. “Le ta dinë se edhe sikur të shkojnë pas diellit, ne do t’i gjejmë dhe do t’i ndëshkojmë me të gjithë forcën e ligjit.”

Një gjykatë kundër korrupsionit e ka pezulluar Ballukun nga detyra, por Prokuroria e Posaçme, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit, ka kërkuar që parlamenti t’i heqë imunitetin për të mundësuar arrestimin e saj.

Partia Socialiste e Ramës, e cila vitin e kaluar siguroi mandatin e katërt radhazi, ka një shumicë të rehatshme parlamentare dhe është e paqartë nëse dhe kur kuvendi do t’ia heqë imunitetin Ballukut, e cila ka shërbyer edhe si ministre e infrastrukturës dhe është një aleate e ngushtë e kryeministrit.

Rama është ankuar për tejkalim të kompetencave nga gjyqësori, veçanërisht për ndalimet para gjyqit.

Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, por blloku thotë se vendi duhet të bëjë më shumë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

About Redaksia

Check Also

Berisha paralajmëron Ramën: Në rast se guxon të sulmsh këtë seli, selive të tua gjurmë nuk do t’u gjesh!

Kryetari i PD, Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga Selia i bëri thirrje …