Salillari, leje për të gërryer Shkumbinin, si u shkatërrua lumi me bekimin e qeverisë!

Një nga shkaktarët e dyshuar për shembjen e rrugës Librazhd-Pogradec, është edhe gërryerja e lumit Shkumbin për të marrë inerte për ndërtimin e segmentit të ri Elbasan-Qafë Thanë. Report Tv zbuloi se aktualisht janë 5 leje aktive për marrjen e zhavorri në basenin e Shkumbinit.

Segmenti Elbasan-Qafë-Thanë me kosto gati 212 milionë euro, duket se po kushton shumë më tepër se kaq, pasi prej ditësh është bllokuar qarkullimi për shkak të prishjes së rrugës Librazhd-Pogradec.

Zyrtarisht institucionet thonë se rrëshqitjet masive kanë ardhur si ngjarje natyrore, por ndërtimi i rrugës së re është shoqëruar me një seri lejesh të dhëna kompanive ndërtuese që kanë marrë përsipër rrugën e re, pjesë e Korridorit 8, për të shfrytëzuar basenin e Shkumbinit për inerte.

Report TV hulumtoi lejet e dhëna për shfrytëzimin e materialeve inerte të Basenit të Shkumbinit. Katër kompani që kanë fituar edhe disa lote të këtij projekti rrugor, kanë 5 leje për të gërryer lumin dhe për të marrë inerte.

Sipas të dhënave, sipërfaqja lejuar për tu gërryer në total është 1,565,141 metër katror, dhe totali i inerteve që do të merret prej shtratit të lumit është 3,531,728 metër kub.

Kompania ANK që ka fituar lotin 4 të zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë (20 mln euro) që është dhe më pranë vendit ku ka ndodhur edhe shembja masive, ka marrë licencën për të marrë inerte në Shkumbin më 19 dhjetor të 2024-ës dhe ka të drejtë për ta shfrytëzuar lejen deri më 19 dhjetor 2027. Në leje thuhet se shfrytëzimi i shtratit të lumit Shkumbin bëhet për zbatimin e projektit “zgjerimi i rrugës Elbasan Qafë Thanë. Kjo kompani ka si hapësirë shfrytëzimi 490 mijë metër katror shtrat lumorë, dhe mund të marrë 71.561 metër kub deri inerte deri në fund të lejes.

Në korrik 2023, leje po për të gërryer lumin Shkumbin ka marrë edhe Alb-Building që fitoi lotin e parë të kësaj rruge me vlerë 21.8 milionë euro. Leja që skadon në 2027-ën, saktëson se kjo kompani ka 610.710 metër katrorë hapësirë për të marrë deri në 619.637 metër kub inerte në vit, ose 1,858.911 metër kub gjatë gjithë lejes.

Në prill 2024, ‘4 AM’ ka marrë gjithashtu leje për materiale inerte për zbatimin e projektit ““Zgjerimi i rrugës Elbasan Qafi Thanë, (Faza II) me vlerë 24.2 milionë euro. Edhe kjo leje ka afat 3-vjeçar dhe skadon në 2027-ën. Sipërfaqja e shfrytëzimit 175.824 metër katror, dhe prej saj do të merren 316.483 metër kub inerte në vit ose 949,449 metër kub për 3 vitet e lejes.

Po Alb-Building ka marrë një tjetër leje në korrik të vitit 2025 me afat deri në 2028-ën, për të shfrytëzuar 111.834 metër katror në Shkumbin për marrë 226.807 metër kub në total për zbatimin e projektit “Ndërtim aksi rrugor “Papër-Ura e Grykshit, (Faza III), që është pjesë e projektit tjetër që po bën ARRSH Elbasan-Lekaj.

Kurse licencën tjetër e ka marrë Salillari në qershor të 2025-ës, me afat deri në 2028-ës, për zbatimin e projektit “Ndërtim aksi rrugor Elbasan-Papër, (Faza I) me kosto me vlerë 20 milionë euro, pjesë gjithashtu e projektit Elbasan-Lekaj. Sipërfaqja e shfrytëzimit për këtë kompani është 169.773 metër katrorë dhe inertet që do të merren në total janë 425.000 metër kub.

Gërryerja e zhavorreve e ka denatyruar Shkumbinin, që tashmë e ka zgjeruar edhe më shumë shtratin e tij. Por lejet për të marrë inerte nuk janë të vetmet, pasi me dhjetëra leje janë marrë edhe për të përdorur burimet ujore nëntokësore apo sipërfaqësore, si dhe janë dhënë aprovime për ndërtime buzë Basenit të Shkumbinit./ Shqiptarja.com

About Redaksia

Check Also

Media austriake: Video seksuale dhe akuza për tendera, Belinda Balluku në qendër të një skandali të madh

Nga Richard Schmitt Në Shqipëri, thashethemet, hetimet dhe tensionet politike po bashkohen në një çështje që …