Kryebashkiaku socialist i Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” ka kërkuar në seancën e sotme të mbajtur në GJKKO, gjykim të shkurtuar.
Burime për mediat bëjnë me dije se vetë Beci nuk ishte i pranishëm në seancë, por përmes avokatit të tij ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Kërkesa nënkupton pranimin e akteve të sjella nga prokuroria pa hyrë në debatin gjyqësor në themel dhe parashtrimit të kërkesave që mund të kenë palët.
Nëse miratohet një kërkesë e tillë, dhe në fund Beci shpallet fajtor për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera e kryer në bashkëpunim, do përfitonte zbritjen me 1/3 e dënimit.
Ndërkohë të pandehurit e tjerë, bashkëshortja e ish kreut të ARRSH Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni nuk janë shprehur ende për formën e gjykimit.
Sakaq mësohet se GJKKO ka shtyrë seancën për në 17 mars, pasi avokati Gentjan Rumano që mbron në këtë proces Adela Rukon, gruan e Evis Berberit është larguar nga salla e gjyqit për një proces tjetër dhe është gjobitur me 100 mijë lekë të reja nga GJKKO.
Rumano u zëvendësua nga një avokate kryesisht, teksa ky i fundit është bërë shkak në të paktën dy seanca për zvarritjen e procesit me mungesën e tij.
Hetimet e SPAK
Benet Beci dhe 6 të pandehurit e tjerë akuzohen nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera kryer në bashkëpunim.
Hetimi lidhet me një procedurë të zhvilluar në kohën kur Beci drejtonte KESH-in, në fund të vitit 2019 për një kontratë studimore me vlerë rreth 700 mijë euro me TVSH, e cila kishte të bëjë me përgatitjen e një “strategjie të zhvillimit të sektorit energjetik”.
Sipas SPAK, dokumentacioni dhe mënyra e hartimit të tenderit krijuan kushtet që gara të mos ishte reale dhe fituesi të ishte paracaktuar. Në fund, kontrata u fitua nga Consulting & Management Albania, kompania e vetme që mori pjesë, me një ofertë thuajse identike me fondin limit.
Prokuroria pretendon se Beci dhe strukturat përkatëse të prokurimit kanë manipuluar disa faza të procesit, duke përllogaritur paraprakisht fondin, duke kufizuar kriteret e konkurimit dhe duke ndikuar në vlerësimin e ofertës, me qëllim që kompania e caktuar të merrte kontratën pa garë.
Gazeta RD