DEKLARATË PËR MEDIA N/KRYETARI I KËSHILLIT BASHKIAK TË TIRANËS PËR PD, DORIAN TELITI
Të nderuar qytetarë,
Sot në emër të antarëve të Këshillit Bashkiak të opozitës do të denoncoj një situatë alarmante për funksionimin e kryeqytetit: bllokimin abuziv të punëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Prej plot 32 muajsh, mazhoranca në Këshillin Bashkiak e ka kthyer shkeljen e ligjit në praktikë të përditshme. Nuk bëhet fjalë për interpretime të ndryshme juridike. Bëhet fjalë për moszbatim të drejtpërdrejtë të ligjit dhe rregullores së brendshme.
Së pari, prej korrikut 2023 vazhdon praktika antiligjore e moskryerjes së konsultimeve publike për projekt-akte, që ligji detyron Këshillin Bashkiak t’i konsultojë me publikun dhe grupet e interest, përpara se të diskutohen dhe miratohen në mbledhjet zyrtare të vetë Këshillit. Projekt-vendime që prekin drejtpërdrejt qytetarët e Tiranës, kalojnë pa transparencë dhe pa dëgjuar zërin e publikut. Edhe në mbledhjen e njoftuar më 24 shkurt, jane 4 akte te rendesishme qe do te kalojne pa pyetur fare qytetaret.
Së dyti, prej 32 muajsh rregullorja interpretohet sipas interesit politik të momentit të mazhorancës socialiste. Projekt-akte që dërgohen pak ditë para mbledhjes, në shkelje të afatit minimal 10-ditor, duke minuar të drejtën e qytetarëve për t’u informuar dhe për të reaguar mbi këto propozime të njëanshme. E njejta gje ka ndodhur edhe per mbledhjen e ketij muaji, ku materialet jane publikuar vetem 3 dite para.
Së treti, dhe më e rënda, është bllokimi i ngritjes së Komisionit të Brendshëm Financiar. Ligji e detyron ekzistencën e tij. Rregullorja e parashikon qartë. Megjithatë, për 32 muaj, mazhoranca ka refuzuar ngritjen e këtij komisioni, duke pamundësuar monitorimin e zbatimit të buxhetit nga ana e Këshillit Bashkiak.
Pse refuzojne ta perfshijne ne rendin e dites se mbledhjes qe zhvillohet te enjten ngritjen e ketij komisioni? Nga çfarë fshihen? Pse kanë frikë nga transparenca?
Ironike është se, e njëjta mazhorancë është shumë e kujdesshme për të monitoruar minutazhin minimalist të opozitës në mbledhje, “harron” detyrimin për të garantuar mekanizmat e kontrollit financiar.
Të dashur qytetarë!
Kryesia e Këshillit Bashkiak, organi që duhet të garantojë balancë institucionale, është paralizuar. Mbledhjet mujore të Kryesise nuk zhvillohen. Vetëm 5 mbledhje në 32 muaj.
Prej 32 muajsh vijon praktika e refuzimit nga mazhoranca në Këshill për të diskutuar çështje dhe tematika të ndjeshme për qytetarët, si furnizimi me ujë, pastrimin, mjedisin, trafikun, parkimet, hapësirat publike, ndërtimet pa kriter e pasojat e tij, taksat e tarifat vendore e të tjera.
Kjo situatë nuk është konflikt politik. Është deformim i funksionimit normal të demokracisë vendore. Është përqendrim abuziv i pushtetit në kurriz të transparencës, llogaridhënies dhe zhvillimit.
Ndaj u bej thirrje keshilltareve socialist: hiqni dore nga urdherat politike, nga shkeljet e ligjit dhe braktisja e qytetarëve dhe sipermarrjes se Tiranes!
Ju faleminderit!
Gazeta RD