Teliti: 15 sekonda për opozitën në Këshillin Bashkiak, 32 muaj bllokim i kontrollit financiar

Reagimi i nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti

Kartoni mbi ligjin në Këshillin Bashkiak: 15 sekonda për fjalën e opozitës, 32 muaj rrënim të demokracisë vendore.

Sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës u thyen sërish ‘rekordet’ e mosrespektimit të ligjit dhe parimeve të demokracisë vendore.

Rendi i ditës u prezantua në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, pa u diskutuar paraprakisht në Kryesinë e Këshillit – organi që sipas ligjit është përgjegjës për axhendën, por aktualisht organ i paralizuar prej muajsh. Por kur ke kartonët, ligji për këshilltarët socialist qenka thjesht sugjerim…e jo detyrim.

Me forcën e numrave, u kaluan disa akte të rëndësishme pa konsultim publik, duke shkelur haptazi rregulloren e vetë Këshillit. Pyetjet e opozitës? Shumica mbetën pa përgjigje. Transparenca? Një term i bukur për fjalime, jo për praktikë.

Dhe kur erdhi momenti i diskutimeve, mazhoranca vendosi një standard të ri ‘demokratik’: 3 minuta në total për 12 projekt-akte, apo vetëm 15 sekonda për projekt-akt. Në këtë logjikë, ndoshta herën tjetër do na kërkojnë t’i bëjmë diskutimet me emoji.

Për 32 muaj refuzohet ngritja e Komisionit të Kontrollit të Brendshëm Financiar – mekanizëm i detyrueshëm për monitorimin e buxhetit. Edhe sot REFUZUAN përsëri ngritjen e këtij komisioni. Pse ka frikë mazhoranca nga kontrolli financiar? Çfarë duhet të mos shihet nga publiku i Tiranës?

Po për 32 muaj refuzohet edhe futja në rend dite e çështjeve që lidhen me hallet reale të qytetarëve: uji, pastrimi, trafiku, parkimet, hapësirat publike, etj. Kërkuam edhe sot të diskutonim për hallet konkrete të Tiranës, dhe përgjigja që morëm ishte: SOT JO.

Sot u dëshmua sërish se për mazhorancën, Këshilli Bashkiak nuk është forum debati dhe llogaridhënieje, por noter i vendimeve të ekzekutivit.

Por NE do të vazhdojmë të kërkojmë ligjshmëri, transparencë dhe respekt për qytetarët e Tiranës, sepse kartoni mund të fitojë votimin, por nuk mund të fshijë të vërtetën.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Lëvizja e fundit e Ramës për të shpëtuar lëkurën e tij! Kërkoj dorëheqjen e menjëhershme, përndryshe do përballet me popullin shqiptar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi përmes një videomesazhi ndaj lëvizjes së fundit të …