Volumi i materialit të shembur është i konsiderueshëm dhe çdo skenar kërkon kohë të gjatë zbatimi. Mundësia e hapjes së një kalimi emergjent ekziston, por sipas specialistit, ai nuk do të ishte i përshtatshëm për mjete të tonazhit të rëndë.
Nga vlerësimet paraprake teknike rezulton se rrëshqitja është e induktuar dhe lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrjet e mëvonshme në zonë, përfshirë punimet për segmentet e autostradës së Korridori VIII. Sipas ekspertit, punimet kanë rritur ngarkesën mbi masivin shkëmbor dhe kanë ushtruar presion shtesë mbi strukturën ekzistuese të rrugës.
Ndërhyrjet në shpatet anësore, si dhe përdorimi i materialit lumor që ka sjellë gërryerje të bazave mbajtëse, konsiderohen faktorë që kanë kontribuar në destabilizimin e terrenit. Ura e dëmtuar, e ndërtuar në vitin 1997, sipas burimeve teknike, ka qenë në gjendje shumë të mirë përpara nisjes së punimeve të reja, çka përforcon dyshimet se problematika aktuale lidhet me fazat e fundit të ndërhyrjeve në zonë.
Specialisti paralajmëron se rikthimi i sigurisë në këtë segment kërkon ndërhyrje të thelluara gjeoteknike. Fillimisht duhet një studim i ri gjeologjik dhe gjeoteknik për të analizuar lëvizjen e masivit, nivelin e ujërave nëntokësore, presionet anësore dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të shpatit. Kjo fazë përfshin matje, monitorim dhe projektim, procese që kërkojnë kohë.
Zgjidhja teknike mund të përfshijë ndërtimin e mureve të thelluara mbajtëse, vendosjen e pilotave, sistem të ri drenazhimi apo edhe devijim të pjesshëm të trasesë. Për shkak të kompleksitetit të terrenit malor në aksin Elbasan–Librazhd, çdo ndërhyrje duhet të kryhet me kujdes maksimal për të shmangur efekte zinxhir të rrëshqitjeve të tjera.
Përveç aspektit teknik, projekte të kësaj natyre kërkojnë rishikim fondesh dhe procedura të reja tenderimi ose mekanizma emergjentë, të cilat zakonisht zgjasin. Nëse ndërhyrja nuk realizohet në mënyrë të plotë dhe strukturore, rreziku i përsëritjes mbetet i lartë.
Në skenarin më optimist, riparimi i plotë i segmentit mund të zgjasë nga gjashtë muaj deri në një vit.
Gazeta RD